English

Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar marrëveshje kundër krimit të organizuar

Tiranë, 22 dhjetor, NOA – Kur u mbush plot një javë nga dita e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave në zonën Shengen për shqiptarët, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan sot marrëveshjen, që do të vërë në jetë bashkëpunimin dypalësh në fushën e shkëmbimit të informacionit kriminal që do t’i shërbejë goditjes efektive të krimit të organizuar, një luftë e shpallur nga qeveria shqiptare me tolerancë zero. Pas marrëveshjes së sigluar në Tiranë nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcllëham, ministri i Brendshëm theksoi edhe njëherë vullnetin e qeverisë Berisha për luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar për ta bërë sikundër tha ai, Shqipërinë, vendin me koston më të lartë dhe fitimet më të ulëta për krimin e organizuar.

“Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me policitë e vendeve të BE-së mbetet prioritet kryesor i qeverisë dhe një dëshmi e fortë se puna e palodhur e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, e cila çoi në vendimmarrjen historike të heqjes së vizave jo vetëm nuk ndalon, jo vetëm nuk ngadalësohet, por intensifikohet më tej”, tha Basha duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes me Britaninë e Madhe, e cila sipas tij do të japë rezultate të prekshme brenda një kohe të shkurtër.

Kreu i dikasterit të Brendshëm, informoi sakaq se “Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme së pari simbolizon shkallën e lartë të besimit që ka fituar policia shqiptare nëpërmjet punës dhe rezultateve të kësaj pune. Së dyti simbolizon një shkallë të re të bashkëpunimit, e cila sot ndërtohet me policinë britanike, është në planifikim dhe ndërtim e sipër me policitë e disa prej vendeve të tjera të mëdha të BE-së dhe natyrisht ky është një votëbesim i aftësive të policisë shqiptare, demonstruar nëpërmjet rezultateve të saj në luftë kundë krimit të organizuar, duke përfshirë këtu krimin e organizuar transkufitar dhe që do të çojë në nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes operative edhe me EUROPOL-in”, nënvizoi ai.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar zonja Fiona Mcllëham e cilësoi marrëveshjen një mjet të rëndësishëm, që do të ndihmojë në bashkërendimin e punës mes strukturave policore shqiptare dhe britanike.

“Kjo marrëveshje do të thellojë edhe më tej bashkëpunimin mes të dy vendeve. Policia shqiptare ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe transkufitar dhe qeveria britanike do të japë mbështetjen e plotë për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në këtë luftë”, u shpreh diplomatja britanike në Shqipëri.

mit/NOA
KOMENTE