English

Si do të bëhet kalimi nga një kompani celulare në tjetrën pa e ndryshuar numrin

Tiranë, 22 Dhjetor 2010 NOA – Firmoset portabiliteti i numrit celular, tani mund të ndryshosh operatorin celular pa humbur kontaktet personale. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo, duke lajmëruar sot nisjen e shërbimit, tha se “arritëm portabilitetin e numrit celular” duke evidentuar faktin se “secili mund të ndryshojë operatorin celular, por jo numrin e celularit”. Ministri Pollo vlerësoi se me portabilitet ofrohen shërbime më të mira, me çmime më të lira.

Pohimet e z.Pollo u bënë sot pasi Kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) Piro Xhixho dhe Administratori i Infosoft System Grigor Joti (fitues i garës së hapur, të shpallur nga AKEP) nënshkruan marrëveshjen për portabilitetin e numrit.

Gjatë ceremonisë Ministri Pollo tha ndër të tjera se “në sajë të nismave, vendimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me AKEP-in, sot arritëm që t’i gjejmë zgjidhjet, kontraktorët dhe çka është më e rëndësishme, që në pranverë të 2011-ës çdo shqiptar me celular mund të ruajë numrin e vet, por të ndryshojë operatorin sipas dëshirës”.

“Dhe kjo do të thotë më shumë zgjedhje për përdoruesit, më shumë konkurrencë për operatorët, shërbim më të mirë dhe çmime më të lira, në tregun shqiptar. Pra e përmbledhur, avantazhe më të mëdha për konsumatorët”, - theksoi Pollo.

Si do të bëhet kalimi

Portabiliteti ose bartshmëria e numrit personal të celularit do të thotë që një klient i një operatori celular, (Vodafone, AMC, Eagle, Plus) nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund të ndërrojë operatorin, por duke e ruajtur numrin e tij.

Pra, me portabilitetin, numri nuk do të jetë më pronë e një operatori. Dhe sikundër u shpjegua nga specialistët, nëse një abonent posedon fjala vjen një numër me prefiks 069XXXXXXX dhe kërkon të mbajë të njëjtin numër dhe prefiks, pra 06XXXXXXX, por të kalojë në një operator tjetër, që mund të ketë prefiks të ndryshëm, ai mjafton të bëjë kërkesën dhe nuk e humbet numrin por thjeshtë kalon nga shërbimet e kompanisë së parë në të kompanisë së dytë.

Pavarësisht numrit që keni, ju mund të kaloni sipas dëshirës në një nga operatorët, përkatësisht 066, 067, 068, 069.

Në momentin kur shërbimi i portabilitetit të jetë 100% funksional në vendin tonë dhe sipas zyrtarëve kjo do të bëhet në pranverë, kalimi nga një operator në tjetrin do të kryhet brenda 2 ditësh, pa shpenzime për përdoruesin.

“Nismat e fundit të Qeverisë si portabiliteti i numrit, teknologjia 3G, si dhe masa të tjera që do të ndërmerren bëjnë të mundur rritjen e konkurrencës në treg, që do të thotë çmime më të lira dhe shërbime më të mira”, - premtoi z.Pollo.

e.r/NOA

KOMENTE