Tiranë, 22 Dhjetor 2010 NOA – Pamjet filmike të Kadriovskit, doli se nuk ishin asgjë më shumë se një bllof: Ultimatumi skadoi dhe asgjë nuk u publikua në TV, sikundër u premtua bujshëm në zarfin që Erion Braçe thotë se i erdhi në selinë qendrore të Partisë Socialiste në Tiranë.
Në fakt Braçe, vetëm sot doli para publikut, pasi e pa se kërcënimi që sot evidentoi bujshëm dhe fort, nuk u bë realitet.
“Ke 24 orë kohë ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë”, shkruhej në letrën ku ishte mbështjelle CD dhe që ju e dalloni në foton që shoqëron këtë lajm vëzhgimor”.
Gjithçka nisi ditën e hënë, kur siç tha Braçe, pas një mbledhjeje pune në selinë e PSSH, personeli i ka vënë në dispozicion këtë zarf, shërbyer në selinë socialiste të Shqipërisë nga Posta e Tiranës.
“Natyrisht që i kam kushtuar vëmendjen e duhur dhe pasditen e vonë të ditës së hënës jam njohur me përmbajtjen e këtij zarfi. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda kësaj kartoline është një CD. Nga ana e pasme të së cilës është materializuar ky tekst: Ke 24 orë kohë ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë”. – tha Braçe.
Ai tregoi edhe se në fund fare është lënë një numër celulari, që nga prefiksi duket që është numër i Maqedonisë dhe shtoi se në fund fare ka emrin Daut Kadriovski.
“Në përmbajtje të kësaj CD kryetari i kësaj partie Edi Rama dhe unë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë tregohemi nga shtetasi Daut Kadriovski, i njohur për cv e tij kriminale, i kërkuar në më shumë se 13 shtete, i përfshirë në aferat më të ndyra të krimit të organizuar dhe korrupsionit pikërisht në këto shtete, “dëshmon” se kryetari i PSSH Edi Rama dhe unë personalisht në cilësinë e deputetit, jemi përfshirë në përdorim dhe në trafik droge dhe në fund fare në dy vrasje të dy shtetasve. Njëri këtu në Tiranë dhe tjetri duke e hedhur nga kati i tretë apo i katërt në Shkup të Maqedonisë”, - deklaroi Braçe.
Ai shtoi se njëherazi në përmbajtje të kësaj CD-je përmendet gjithë klasa politike shqiptare në rajon, duke përfshirë Hashim Thaçin, për të vijuar me Jakup Krasniqin, Ramush Haradinaj dhe familjen e tij. Për të zbritur deri tek klasa politike shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë Mendu Thaçin dhe partinë e tij, apo më tutje edhe Imer Selmanin e partinë e tij.
“Pra është një CD komplekse ku një prej përfaqësuesve më të regjur të krimit të organizuar, mesa duket së fundmi i lirë, shfaqet i përdorur politikisht nga Sali Berisha dhe strukturat e tij okulte, për të përfolur, për të shpifur, për të atakuar, për të sulmuar, për të njollosur pothuajse përfaqësuesit kryesor të politikës shqiptare, jo vetëm në Tiranë por edhe në rajon”, - tha Braçe.
Këtu ai tregoi edhe se zarfi shantazh ishte bërë objekt i mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS: “Do doja ta mbyllja gjithë këtë denoncim duke dërguar një mesazh të qartë, jo vetëm timin personal por secilit prej deputetëve të PS të mbledhur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, që shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve të drejtuara nga Sali Berisha dhe krimi i organizuar, që refuzojnë kategorikisht t’i nënshtrohen këtyre praktikave kriminale tipike mafioze të një qeverie të korruptuar dhe në ikje dhe që garantojnë çdo shqiptarë se fushata jonë e transparencës përkundrejt akteve korruptive, përkundrejt zyrtarëve të korruptuar, përkundrejt produktit kriminal të korrupsionit nuk do të ndalet”.
E kështu kjo histori, duket se fundin nuk e ka ashtu si nisi: Asgjë nuk doli në publik, as përmbajtja e CD që Braçe tregoi para kamerave dhe fotografëve nga jashtë, dhe as në TV ku sipas Braçes, prurësi i zarfit premtonte se do t’i nxirrte 24 orë pas të hënës, pra më së shumti dje në mbrëmje.
Mbetet të shohim nëse kjo situatë do të ndryshojë...
e.r/NOA