Tiranë, 23 dhjetor, NOA - Kjo nuk është demokraci funksionale, ky nuk është pushteti i popullit, ky është pushteti i vjetër, pushteti i elitës së korrupsionit... Me këto fjalë iu drejtua mazhorancës qeverisëse dhe kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe duke folur mbi çështjet që shqetësojnë integrimin e vendit i artikuluar edhe në kritikat e raportit të KE-së.
“Askush nga ne nuk e kuron apo përmirëson dot më qeverinë e korruptuar të Sali Berishës. Qeveria e Berishës është thelbi i sistemit kriminal të korrupsionit në këtë vend . Qeveria duhet luftuar me vendosmëri dhe me ndershmëri”, tha deputeti socialist.
Por, ndërkohë që PS kërkon të miratohet projektrezoluta e tyre për integrimin e vendit ku përfshihet edhe hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit e bashkë me të edhe zgjidhjen e krizës politike, vetë mazhoranca ka përpiluar një tjetër rezolutë për këtë çështje e pritet ta votojë në fund të kësaj seance që mbyll punimet e kuvendit për këtë vit.
Braçe një ditë më parë akuzoi kryeministrin Berisha edhe për krijimin e strukturave kriminale pranë ministrisë së Brendshme me synimin për t’i mbyllur gojën opozitës.
mit/NOA