Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, u nderua me çmimin “Mik i sipërmarrjes shqiptare” i dhënë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Argumenti i zgjedhur për këtë ka qenë pikërisht “mbështetja që zv/kryeministri dhe ministri i METE-s i ka dhënë biznesit shqiptar”.
Nga ana e tij, Meta falënderoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë për këtë çmim dhe u uroi suksese të gjithë sipërmarrësit shqiptarë në aktivitetin e tyre ekonomik.
Meta garantoi se do të vazhdojë mbështetja për biznesin shqiptar, në mënyrë që ai të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit të vendit.
“Dua t’i uroj të gjithë sipërmarrësve dhe sipërmarrëseve shqiptare një vit të lumtur dhe të gëzuar, gjithashtu edhe Krishtlindje të gëzuara.
Sukses dhe mbarësi në aktivitetet e tyre, pasi suksesi dhe mbarësia juaj do të thotë sukses dhe mbarësi për ekonominë dhe për gjithë shoqërinë tonë. Ndaj dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia për të mbështetur biznesin shqiptar në mënyrë që ai të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit të vendit sikurse ka qenë deri tani”, u shpreh Meta.
n.e/NOA