Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Jetimët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet kanë festuar në vigjilje të Krishtlindjeve me Ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, i pari shef i diplomacisë që i takon ata në mjediset e shtëpisë së tyre. Sipas ministrit Haxhinasto është detyrim dhe kënaqësi për çdo autoritet të vendit dhe qytetar të thjeshtë t’i japësh jetimëve dashuri e përkujdesje.
Këtë vit, Ministri Haxhinasto përcjell urimet e MPJ-së dhe me kartolinat e përgatitura me punimet në pikturë të fëmijëve të kësaj shtëpie.
Gjatë vizitës në këtë institucion Haxhinasto vlerësoi talentin e fëmijëve dhe i siguroi ata për kujdesin dhe vëmendjen e madhe që duhet treguar ndaj tyre me qëllim që ata të rriten duke ndjerë përkujdesje dhe të gëzojnë gjithë mundësitë për t’u përgatitur për jetën.
Duke falenderuar stafin e shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli” dhe fëmijët për atmosferën e krijuar, Haxhinasto premtoi se do të rikthehej së shpejti për një tjetër vizitë në këtë institucion për të pasuruar këtë herë bibliotekën e “Zyber Hallullit” me libra të rinj.
Gjatë vizitës ministri Haxhinasto shpërndau dhuratat e përgatitura me këtë rast nga ai dhe stafi i punonjësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai lajmëroi se të ardhurat që do të mblidhen nga blerja e kartolinave të përgatitura me punimet e fëmijëve do t’i shkojnë shtëpisë “Zyber Hallulli”.
Drejtuesja e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” Drita Mandreja falenderoi ministrin Haxhinasto për vizitën dhe dhuratat, si dhe shprehu kënaqësinë që për herë të parë një ministër i Jashtëm i vendit viziton mjediset e kësaj shtëpie fëmijësh.
mit/NOA