Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Pas inaugurimit të rikonstruksionit me një investim të qeverisë prej 3.5 milion dollarësh disa javë më parë të repartit të Neurokirurgjisë në QSUT, ku u finalizuan me sukses edhe dy operacione shumë delikate të kryera tërësisht nga stafi shqiptar i drejtuar nga neurokirurgu i njohur Mentor Petrela, i kryer për herë të parë pa hapje të kafkës, reparti i Neurokirurgjisë së shpejti do të jetë pjesë e një modernizimi të tërësishëm. Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, qeveria shqiptare ka miratuar kredinë e butë të qeverisë austriake në vlerën e 7 100 000 ( shtatë milion e njëqind mijë euro ) duke bërë të mundur zbatimin e fazës së dytë të projektit për përmirësimin e departamentit të neurokirurgjisë, një prej shërbimeve elitare në vendin tonë dhe qendër reference në rajon për pacientët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
Lajmin e bëri publik Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Mirela Cano theksoi se ky financim i hap rrugën modernizimit të spitalit të neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me pajisje bashkëkohore.
Zonja Cano bëri me dije se faza e dytë, në të cilën do të bëhet pajisja me aparatura do të bëjë të mundur përmirësimin e aksesit në një shërbim spitalor cilësisht më të mirë për popullatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, që në total arrin në rreth 7 milion banorë.
Duke u ndalur në risitë që do të sjellë faza e dyte e projektit, Cano vuri në dukje se për herë të parë në spitalet publike shqiptare pacientët do të përfitojnë nga trajtimi me pajisjen bashkëkohore Akselerator Linear, i cili bën të mundur trajtimin e sëmundjeve tumorale me preçizion të lartë dhe me efekte anësore minimale.
“Departamenti i Neurokirurgjisë do të ketë gjithashtu tri salla operacioni moderne, trajtim post-operator si dhe salla reanimacioni të pajisura gjithashtu sipas standarteve europiane”, u shpreh Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas saj me pajisjet e reja dhe me burimet njerëzore të specializuara do të bëhet e mundur që trajtimi mjekësor në fushën e neurokirurgjisë të kryhet me cikël të mbyllur duke ofruar shërbim cilësor të plotë brenda Shqipërisë pa qenë e nevojshme për shpenzime të mëtejshme në trajtime të specializuara jashtë vendit.
mit/NOA