Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Ndërkohë që në kuvend vijojnë diskutimet për mocionin me debat të kërkuar nga Partia Socialiste për refuzimin nga BE të marrjes së statusit kandidat, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani deklaroi duke reaguar ndaj akuzave të opozitës se qeveria Berisha gjatë 5 viteve të qeverisjes arriti të krijojë besueshmërinë e institucioneve dhe qytetarëve duke kthyer edhe besimin e Europës, që u vu në jetë me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Ministri i Drejtësisë theksoi se përmes reformave tejet të rëndësishme drejtësia shqiptare arriti të godasë grupe kriminale, të vërë në pranga krerë të këtyre grupeve si dhe të rrisë ndjeshëm efektivitetin e luftës ndaj trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në vend.
“Të gjitha këto reforma bënë që Europa të besojë në qeverinë Berisha, dhe të heqë kushtet e lëvizjes për qytetarët shqiptarë, të cilët tashmë lëvizin pa vizë në vendet e zonës Shengen”, theksoi Nishani.
“Na duhej të ndryshonim politikat e pagesës së ministrave, ne shkurtuam maksimalisht diferencën e pagesës së tyre me punonjësit e administratës publike. Pikërisht ky model qeverisës bëri që Europa të besonte te mazhoranca jonë. Duhej të krijohej besimi i qytetarëve te politika, besim i nëpërkëmbur sipas ministrit Nishani për vite me rradhë, dhe i kthyer sikundër tha ai nga mazhoranca aktuale.
“Kjo qeveri bëri të mundur të krijojë shanset për çdo qytetar që të shijojë Europën. Por nga ana tjetër fituam armiqësinë e grupeve kriminale, të evazionit fiskal, të atyre që nuk e njihnin konkurrencën e lirë, por jam i sigurt se askush nga kjo mazhorancë nuk tutet nga kjo armiqësi”, nënvizoi ministri Nishani duke iu referuar luftës së paepur të opozitës sikundër la të kuptohej, në ndalimin e procesit të liberalizimit të vizave apo integrimit të vendit në BE.
Në këtë kontekst ministri i Drejtësisë tha se për mazhorancën aktuale mbetet ankth mosmarrja e statusit të vendit kandidat në BE, porse ai e cilësoi mosdhënien e konsensusit politik për reformat e integrimit të vendit, e kategorizojnë opozitën shqiptare si të vetmen në rajon që nuk e ofroi konsensusin politik.
“Jemi dëshmitarë të një modeli bojkoti, dëshmitarë të një modeli që rreket që burgun e tij t’ua imponojë edhe qytetarëve”, tha ministri i Drejtësisë, duke theksuar se modeli destruktiv i kryesocialistit Edi Rama nuk ka shanse t’i imponohet parlamentit, apo qytetarëve shqiptarë.
mit/NOA