English

Opozita e bashkuar ultimatum Berishës: Sot ke shansin e fundit për kompromis, përndryshe do përballesh me popullin

Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Ndërkohë që në kuvend diskutohet për refuzimin e statusit kandidat të Shqipërisë por edhe ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara, Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo në emër të opozitës së bashkuar i ka dhënë sonte shansin e fundit maxhorancës që në këtë seancë të fundit të kuvendit për vitin 2010 të reflektojë për arritjen e një kompromisi për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të kryer transparencën e zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2009, pasi në rast të kundër qeveria do të përballet me popullin në protesta masive. “Dështimi i pritshëm, gjë që ne nuk e urojmë, i kësaj seance pra dhe i kompromisit të kërkuar do ta çonte përfundimisht maxhorancën dhe qeverinë e Sali Berishës në një ballafaqim popullor me opozitën e bashkuar”, tha Milo.

“Ne e kemi bërë të qartë dhe po e bëjmë të qartë edhe sot në një moment kur seanca ka filluar që opozita shqiptare pas këtij momenti, nëqoftëse do të dështojë sot arritja e kompromisit, do të organizojë një protestë popullore të fuqishme, mbarëkombëtare, të panjohur deri tani, e cila nuk do të ketë ndalesë dhe që do të çojë përfundimisht në rrëzimin e kësaj qeverie dhe në zgjedhje të parakohshme”, nënvizoi Milo.

Ai akuzoi kryeministri Berisha se me muaj të tërë ka dëshmuar se nuk respekton paktet, kontratat me shqiptarët, por nuk respekton as paktet, as kontratat që bën me ndërkombëtarët.

“Sjellja politike e Sali Berishës, na kujton vitin 1996, kur ai jo vetëm manipuloi zgjedhjet në mënyrë spektakolare në atë kohë, por u soll më mënyrë shumë banditeske edhe me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke refuzuar t’i dëgjojë dhe duke refuzuar këshillat dhe rekomandimet e tyre. Jemi në të njëjtin moment, pak a shumë mund të heqim një paralele historike kur Sali Berisha po shkonte drejt katastrofës politike”, argumentoi zoti Milo.

Ai e cilësoi kryeministrin Berisha Lukashenkon e Shqipërisë, duke iu referuar kryeministrit të Bjellorusisë që pasi manipuloi zgjedhjet i rivodhi ato rishtas dhunshëm.

Në këtë kontekst ai risolli në vëmendje se Berisha po kërkon të bëjë atë që bëri në maj të vitit 1996, kur rrahu në mes të sheshit dhe në dritë të diellit me shkopinj gome kundërshtarët.

Anëtari i Opozitës së Bashkuar, Paskal Milo i bëri thirrje shefit të ekzekutivit të reflektojë e të miratojë ngritjen dhe hetimin e zgjedhjeve, pasi sot është momenti i fundit i pritjes së popullit për transparencë.

“Apeli ynë sot, është t’i drejtohemi edhe njëherë Sali Berishës, me përgjegjësinë e madhe të opozitës shqiptare për ta parë Shqipërinë një vend demokratik e të stabilizuar, që të reflektojë seriozisht, të mos e marrë lehtë këtë seancë parlamentare shumë të rëndësishme, por t’i thërrasë mendjes, të shkojë drejt kompromisit të kërkuar të cilën opozita e ka ofruar tashmë në variante të ndryshme dhe për një kohë të gjatë, kompromis ky që ka gjetur edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, më të cilët ne jemi duke komunikuar vazhdimisht dhe ti japë përfundimisht Shqipërisë një rrugëdalje nga kriza politike në të cilën ai e ka futur përmes manipulimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar”, deklaroi kreu i PDS-së, Paskal Milo.

mit/NOA
KOMENTE