English

PS, Leskaj: Ne erdhëm me ofertë për zgjidhjen e ngërçit, BE kërkon konsensus

Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Ndërkohë që kuvendi ka nisur në drekë diskutimin maratonë të mocionit me debat për integrimin e vendit i kërkuar nga opozita, pas refuzimit të statusit kandidat për Shqipërinë, deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj në emër të PS-së paraqiti në kuvend një ofertë për të zgjidhur krizën politike dhe për të shkuar sa më shpejt drejt integrimit të vendit në BE. Deputetja Leskaj bëri me dije se BE kërkon konsensus për reformat e rëndësishme në vend, andaj ajo i propozoi mazhorancës zgjidhjen e ngërçit politik përmes pranimit të rezolutës së prezantuar.

“Ne kemi kemi ardhur me një ofertë konkrete, me një rezolutë që nëse keni vullnetin, ta miratojmë së bashku për t'i hapur rrugën zgjidhjes së krizës politike dhe integrimit europian të vendit”, tha deputetja socialiste.

Leskaj gjatë fjalës së saj informoi se raporti i KE-së për gjendjen e institucioneve në Shqipëri është një zile alarmi dhe fare mirë mund të shërbejë si një udhëzues për përmbushjen e kërkesave për tu integruar në Bashkimin Europian.

Deputetja socialiste theksoi se qeveria me veprimet e saj ka refuzuar bashkëpunimin me opozitën në zgjidhjen e krizës politike, por sikundër tha Leskaj qeveria e ka treguar me gisht opozitën si pjesë të problemit politik duke ia faturuar opozitës dështimin e saj politik.

Leskaj tha se ky raport i KE-së, kërkon reforma të mëdha, që mund të arrihen vetëm me konsensus.

Në këtë kontekst ajo ritheksoi se ngërçin politik nuk e shkaktoi opozita por mazhoranca që vodhi zgjedhjet e shkuara të 28 qershorit, e që sot po bën të pamundurën që të refuzojë transparencën e votave.

E duke folur edhe për ngritjen e komisionit hetimor deputetja Valentina Leskaj nga foltorja e kuvendit tha se “Ne sot kërkojmë një hetim të bazuar mbi rezolutën e Parlamentit Europian që zgjidh të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Më herët kuvendi diskutoi edhe për aktin normativ për pagat suplementare të ish-ushtarakëve, për të cilën këta të fundit kanë kërkuar edhe me një protestë sot para parlamentit që deputetët të mos e miratojnë pasi shkel të drejtat e tyre.

Në seancën e fundit të kuvendit për këtë vit që pritet të jetë maratonë, përveç mocionit me debat për refuzimin e statusit të vendit kandidat më pas pritet të nisë edhe diskutimi për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 që mbajnë peng krizën politike mes opozitës dhe pozitës prej mëse 18 muajsh.

mit/NOA
KOMENTE