English

Sistemi gjyqësor dhe aty ku korrupsioni rritet çdo ditë

Gjyqësori në Shqipëri dhe një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh të vendit, po e zëvendësojnë pushtetin e ligjit me pushtetin e parasë, drejtësinë me padrejtësinë, moralitetin me imoralitetin, ndjenjën e drejtësisë me padrejtësinë, humanizmin me shpirtin kriminel të të korruptuarit

Nga Av. Idajet Beqiri

Për problematikën që ka vendi, për fenomenet e reja që ka sjell vendosja e sistemit demokratik në Shqipëri, por edhe për shkak se ndërrimi i sistemeve, nga ai komunist në këtë demokratik, u bë me mendësi komuniste, e nga njerëz fanatik dhe ekstremist të atij regjimi famëkeq, roli i sistemit gjyqësor është vendimtar në parandalimin e ndryshimit cilësor që mund të sjellë pakënaqësia mbarëpopullore ndaj pushtetit aktual.

Për fatin e keq, sistemi gjyqësor, në vend që të përgjegjësohet për rolin që ka, në vend që të ndal katastrofën aktuale që po përjeton vendi në çdo sferë të jetës, është bërë vet kryekatastrofa e këtij vendi.

Gjyqësori në Shqipëri dhe një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh të vendit, po e zëvendësojnë pushtetin e ligjit me pushtetin e parasë, drejtësinë me padrejtësinë, moralitetin me imoralitetin, ndjenjën e drejtësisë me padrejtësinë, humanizmin me shpirtin kriminel të të korruptuarit.

Rrallë, shumë rrallë mund të gjejë të drejtën e vet të ligjshme, një qytetar në gjykatat e këtij vendi. Numërohen tashmë me kokrra ata gjyqtarë që kanë respekt për demokracinë, që do të thotë ligj dhe zbatim korrekt i tij, që kanë respekt për rolin e pushtetit gjyqësor dhe të tyre, si pjesë e këtij pushteti, që kanë dhimbsuri dhe përgjegjshmëri për vendin e tyre, e për shpëtimin e tij nga katastrofa drejtë së cilës shkon çdo ditë.

Me cilësinë e mbrojtësit ligjor, me një ngarkesë punë vjetore mesatarisht tre çështje për çdo ditë pune të vitit, por dhe me cilësinë e drejtuesit kryesor të Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, që në çdo moment më vijnë mendimet dhe vlerësimet e avokatëve të këtij vendi, por edhe të qytetarëve të shumtë që përplasen në gjykata, herë pas herë kemi evidentuar, kemi denoncuar, kemi analizuar dhe kemi dhënë alarmin për udhëkryqin ku e kanë çuar gjyqësorin gjyqtarët e papërgjegjshëm të këtij vendi.

Janë të shumtë njerëzit, e madje edhe disa prej institucioneve ndërkombëtare, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë bërë të njëjtën gjë. Mirëpo reflektim nuk ka pasur.

Shumë gjyqtarë të gjykatave, nuhatës si ata, të zgjuar për djallëzi si ata, duke parë se si dhe për çfarë zhvillohet lufta politike në majë të piramidës së këtij vendi, i “lëshojnë pe” ndërhyrjeve të kësaj politike, u hapin rrugë atyre për pasurim, dhe me “mbetjet”, që janë subjekte të shumta që halli i përplas në dyert e gjykatave, bëjnë kërdinë duke mbushur në mënyrë të paskrupullt xhepat e tyre.

Shkalla e korrupsionit në sistemin gjyqësor është aq e lartë, sa as edhe vet ato subjekte që e kanë vuajtur në kurrizin e tyre, vjedhjen e hapur që u është bërë nga këta gjyqtarë, nuk e besojnë.

Tashmë në dyert e gjykatës e kanë tmerrësisht shumë të vështirë, të shkojnë dhe të zgjidhin problemet e tyre të ligjshme, qytetarët që nuk i kanë xhepat plotë me lekë. Gjyqtarët tashmë kanë arritur të zëvendësojnë edhe organin ligjvënës, sepse i bëjnë vet ligjet në funksion të korrupsionit, në vend që të mbajnë pozicionin e tyre të zbatuesit të ligjit.

Kjo fatkeqësi kombëtare po thellohet e përkeqësohet çdo ditë, sepse maja e piramidës së sistemit të drejtësisë është pjesë e këtij korrupsioni, e madje nxitëse e këtij “mish-mashi” në gjyqësor. Nuk ka “de fakto” asnjë institucioni mbi gjykatat. Zhurmat për gjoja “kontrolle në këtë gjykatë, e kontrolle në atë gjykatë”, janë demagogji. Kjo bëhet për t’u mbushur mendjen monitoruesve ndërkombëtar se gjoja “sistemi i kontrollit në gjyqësor po bënë namin”, për t’u mbushur mendjen naivëve të këtij vendi për gjoja “të qenurit në këmbë të sistemit të kontrollit të gjyqësorit”, në një kohë që vet kontrolli po degjeneron thjesht dhe vetëm në tërheqjen e pjesës së tyre të korrupsionit kur shkojnë “për kontrolle” në gjykata.

Nga vrojtimet, nga analizat e pjesshme, por mbi të gjitha nga fryma e përgjithshme që sundon në sistemin e drejtësisë, konstatojmë se edhe monitoruesit e faktorit ndërkombëtar kanë “ngrënë çorbën e prishur” të korrupsionit, dhe nuk po ndikojnë aspak në përmirësimin e gjendjes. Halli i vetëm i tyre janë programet për ndërtimin e gjykatave të reja, për rikonstruksionin e tyre, ku derdhen miliona euro. Ndërsa monitorimin përmbajtjesor të sistemit të drejtësisë në këtë vend, me sa duket ua kanë lënë në duar të korruptuarve dhe të papërgjegjshmëve të këtij vendi.

Paligjshmëritë, arbitraritetet dhe marrja e ryshfetit për zgjidhjen e gjyqit në favorin e mitëdhënësit tashmë po bëhen të hapura. Kjo mënyrë të vepruari nuk quhet më “turp”, e madje, askush nuk ka më frik nga ligji. Janë të shumta rastet që e vërtetojnë këtë përgjithësim që bëjmë. Por për hir të respektit ndaj lexuesit, për të mos e rënduar atë me dhjetëra e dhjetëra fakte të rënda që provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme sa theksojmë në këtë opinion, po përmendim një ndodhi sa tragjike, aq edhe e pa precedent në nëpërkëmbjen e hapur të ligjit të shtetit dhe të drejtave të ligjshme të qytetarëve.

Dy persona, administratorë të një firme ndërtimi, ngritën një padi për lirim dhe dorëzim sendi kundër qytetarit Petrit Durraj, banues në një fshat të qytetit të Sarandës.

Petrit Durraj ka punuar në ish-ndërmarrjen bujqësore të Sarandës. Në vitin 1994, me qenë se kjo familje me 6 anëtarë nuk kishte strehim, kanë ndërtuar një shtëpi banimi me sipërfaqe 90 m2. Komuna ka pasur dijeni për këtë ndërtim, e madje e ka nxitur vet këtë veprim. Themi e ka përkrahur në atë kohë qytetarin Petrit Durraj, pasi edhe sot mban të njëjtin qëndrim, është në anën e tij.

Në vitin 1996, ose dy vjet pasi ky qytetar e kishte ndërtuar shtëpinë e banimit, ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Sarandë u ka bërë “kompensimin” në një pronë publike, ku ka ndërtuar shtëpinë e banimit ky qytetar, një ish-pronari, të cilit i ishte zënë prona e ligjshme e tij që kishte tjetërkund. Krijohet kështu një “mbimbulim”. Ligji për kthimin e pronave thotë që kur një pasuri është e zënë me ndërtim, komisioni i kthimit të pronave bënë kompensimin e pronarëve me një pronë tjetër. Në fakt, ish-Komisioni i Pronave e ka kompensuar pikërisht këtu ish-pronarin.

Pas 12 vjetësh, këtë pronë të zënë me ndërtimin e shtëpisë, e blejnë dy administruesit e firmës së ndërtimit nga “i zoti” që nuk e kishte disponuar “de fakto” asnjëherë.

Qytetari Petrit Durraj kur doli ligji “Mbi Legalizimet”, bëri vetëdeklarimin e kësaj pasurie, duke kërkuar konform këtij ligji legalizimin e banesës së tij. Pas peripecish të shumta, pas hartimit të dokumentacionit të plotë prej ALUIZNI-t, pas pagesave fazë pas faze të taksave përkatëse në favor të këtij institucioni të ngarkuar prej ligjit për të bërë legalizimin, Këshilli i Ministrave, me Vendimin e tij nr.677, date 18.06.2009 “Për miratimin e kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale”, i kalon në pronësi Petrit Durraj shtëpinë që ai kishte kërkuar t’i legalizohej. Me këtë Vendim të Këshillit të Ministrave, që ka dal në zbatim të një ligji organik, sikurse është ligji “Mbi Legalizimet”, qytetari Petrit Durraj është pronar i ligjshëm i shtëpisë që ka ndërtuar në vitin 1994.

Pas disa muajsh që ky shtetas bëhet edhe “de jure” pronar i shtëpisë, dy administratorët e firmës së ndërtimit, e hedhin në gjyq Petrit Durraj dhe kërkojnë që t’i prishin shtëpinë dhe t’i marrin truallin e saj, sepse në atë vend kanë në planë të ndërtojnë apartamente banimi.

Shorti në gjykatë i bie gjyqtares E.D. Kjo gjyqtare, nga sa kuptojmë nga përmbajtja e veprimit që ajo ka kryer, u ka thënë me sa duket paditësve që të hiqnin dorë nga padia, sepse lidhur me kërkimin e tyre “e kishte marrë ferra uratën” me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.677, datë 18.06.2009 “Për miratimin e kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale”.

Me qenë se rrugët e tjera nuk kanë “ecur” te kjo gjyqtare, paditësit janë tërhequr nga gjykimi dhe çështja është pushuar.

Dy ditë më vonë paditësit e kanë paraqitur përsëri në gjykatë të njëjtën padi. Në raste të tilla, në bazë të Vendimit të KLD nr. 238/1/a, date 24.12.2008, nenit “5” të tij, çështja nuk hidhet në short të ri, por i shkon automatikisht gjyqtarit që e ka pushuar gjykimin. Mirëpo se nga kush, dhe për çfarë motivi, kjo çështje “u hodh në short” dhe shorti i ra një gjyqtari tjetër, i cili është bashkëshorti i gjyqtares që e kishte më parë këtë çështje.

Ky gjyqtar, moralisht dhe ligjërisht e kishte për detyrë t’i shkonte kryetarit të Gjykatës së Sarandës dhe t’i thoshte që kjo çështje duhet t’i shkonte gjyqtares së parë, dhe të hiqte dorë nga gjykimi i saj. Këtë gjë duhet ta bënte jo vetëm se kështu urdhëron një vendim në fuqi i KLD-së, por edhe sepse pala e paditur, Petrit Durraj, pa filluar gjykimi i çështjes, ka shprehur pakënaqësinë e tij me këtë gjyqtar si dhe ka argumentuar bazuar në ligj papajtueshmërinë e këtij gjyqtari për të zhvilluar këtë gjykim.

Gjyqtari jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por përmes një numri të konsiderueshëm shkeljesh të ligjit, i mohoi qytetarit Petrit Durraj të gjitha të drejtat ligjore që i takojnë një të padituri për t’u mbrojtur në gjyq.

Parimi i “barazisë së armëve”, si parimi bazë i së drejtës civile, u nëpërkëmb hapur, dhe qytetarit Petrit Durraj nuk i erdhi dot në ndihmë as një akt normativ i Këshillit të Ministrave, as edhe një ligj organik, si ai “Mbi legalizimin”.

Me gjithë se legalizimi i kësaj shtëpie kishte përfunduar, siç theksuam më sipër, gjyqtari merr një vendim të ndërmjetëm duke e urdhëruar ALUIZNI-n të “bllokojë legalizimin”! Ky vendim jepet në mungesë të Petrit Durraj dhe mbrojtësit të tij ligjor. Në bazë të ligjit ky qytetar kishte të drejtën ligjore ta kundërshtonte në Gjykatën e Apelit këtë vendim. Brenda afatit ligjor u kundërshtua ky vendim.

Për ironi të fatit, dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Evropiane “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë nuk e dërgoi fare në Gjykatën e Apelit Gjirokastër për shqyrtim këtë ankim. Ndërhyri me një akt zyrtar mbrojtësi ligjor, duke e ndihmuar këtë gjykatë dhe vet Gjykatën e Apelit Gjirokastër që të dërgonin urgjentisht dosjen në Gjykatën e Apelit, por përsëri në mënyrë arbitrare dosja gjyqësore së bashku me vendimin e ankimuar nuk nis! Një arbitraritet i padëgjuar në çdo sistem të botës së qytetëruar!

Në Gjykatën e Apelit po në mënyrë arbitrare nuk u dërgua as apeli kundër vendimit të këtij gjyqtari për mos pezullimin e gjykimit. Arsyet e këtij “bllokimi” në kundërshtim flagrant me ligjin lidhen me faktin se gjyqtari donte me çdo kusht të përfundonte siç e kishte paragjykuar këtë proces gjyqësor.

Të mos dërgosh apelin që bënë pala ankuese kundër një vendimi gjyqësor, minimumi është shpërdorim i detyrës dhe dënohesh deri në 7 vjet burg në bazë të nenit 248 të Kodit Penal. Mirëpo kush do i kontrolloi, gjykoi dhe dënoi këta shkelës të ligjit, që kanë detyrën të mbrojnë ligjin? Një ndër organet e kontrollit është Gjykata e Apelit.

Në rastin që parashtrojmë Gjykata e Apelit Gjirokastër me fanatizëm mbrojti dhe justifikoi një sërë shkeljesh flagrante të ligjit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit të Sarandës, i cili dha një vendim jo vetëm të dyshimtë nga çdo lloj pikëpamje, por edhe haptazi të paligjshëm e arbitrar. Ai vendosi që qytetarit Petrit Durraj t’i lihet pa ju prishur vetëm 45 m2 shtëpi, ndërsa 54 m2 nga kjo shtëpi, si një e tërë, t’i prishet dhe trualli t’u jepet administratorëve të firmës që ndërton pallate!

Tashmë qytetari Petrit Durraj dhe qytetarë të tjerë të këtij vendi, nuk dinë ç’të bëjnë, sepse në një shtet, ka dy shtete, në një sistem drejtësie dhe ligjor, veprojnë dy sisteme që i kundërvihen njëri-tjetrit. Një ligj të thotë se “shtëpia është e jotja”. Dhe këtë ligj e ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, dhe e konfirmon me një akt normativ urdhërues Këshilli i Ministrave, në anën tjetër, në emër të interesave të “Maliqit” del një gjyqtar në Gjykatën e Sarandës dhe një gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Gjirokastër dhe i thonë “bjeri, bjeri se i bie mirë” Kushtetutës së Shqipërisë, ligjit “Mbi Legalizimin”, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.677, datë 18.06.2009 “Për miratimin e kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale”, gjitha parimeve të së drejtës civile shqiptare për të drejtën e ankimit, të mbrojtjes, të një gjykimi të rregullt e të drejtë etj!

(*) Qëndrimet e shprehura, janë pikëpamje personale të autorit

KOMENTE