Prishtinë, 23 dhjetor, NOA-Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i PDK-së, tha se ai do të përfundojë edhe mandatin e dytë si kryeministër i Kosovës, për t’i vazhduar reformat e filluara demokratike.
Kjo deklaratë vjen ndërsa vazhdojnë dilemat nëse Partia Demokratike e Kosovës, e dalë fituese në zgjedhjet e fundit sipas rezultatit paraprak, do të mund të formojë koalicion qeverisës dhe të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të formuar qeverinë e re.
Thaçi tha se reformat nuk kanë të ndalur dhe se ato do të vazhdojnë deri në fund të mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
Në bazë të Kushtetutës, partia e parë apo fituesja e zgjedhjeve merr fillimisht mandatin për formimin e qeverisë. Por, nëse nuk ia del të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Parlament, mandati për formimin e qeverisë i kalon partisë së dytë, para se vendi të rrezikojë me krizë institucionale dhe zgjedhje të reja.