English

Topalli, opozitës: Na u refuzua statusi se ligjet që e siguronin marrjen e tij i bojkotuat

Tiranë, 23 dhjetor, NOA – Në vijim të debatit për statusin e refuzuar për vend kandidat në BE përmes raportit kritikues të KE-së, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka akuzuar Partinë Socialiste se mospërmbushja e kritereve për tu integruar në BE erdhi për shkak se opozita bojkotoi votimin e një sërë ligjesh të rëndësishme dhe kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat. Zonja Topalli tha se Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat vetëm për shkak të opozitës që bëri të pamundurën të ndalonte çdo proces të integrimit të vendit në BE si dhe për pengimin e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave.

Kryetarja e Kuvendit në reagimin e saj ndaj akuzave të deputetit socialist Erion Braçe, theksoi se “Qeveria, mazhoranca dhe parlamenti kanë votuar çdo ligj që kërkohej për heqjen e vizave”.

Në këtë kontekst ajo nënvizoi se ligjet për liberalizimin e vizave u votuan pasi nuk kërkonin shumicë të cilësuar, ndërsa ligjet që do të siguronin statusin e vendit kandidat kërkonin shumicë të cilësuar, duke ia faturuar kësisoj dështimin këtë vit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, bojkotimit të votimit nga opozita.

“Të gjitha ligjet, për fat kërkonin vetëm shumicën e thjeshtë, nuk vareshin nga votat e opozitës, prandaj ja dolëm morëm heqjen e vizave sepse kjo varej vetëm nga ne. Nuk morëm statusin sepse varej edhe nga ju, nuk e morëm statusin se ju bojkotuat, se nuk votuat. Ju nuk votuat lëvizjen e lirë sepse Rama nuk donte heqjen e vizave, sepse sipas tij kjo do të shtonte mbështetjen për Sali Berishën”, tha nga foltorja e kuvendit kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më herët ajo ishte akuzuar nga deputeti socialist Erion Braçe se bashkë me kryeministrin Sali Berisha kanë kapur shtetin dhe e kanë zhytur vendin në korrupsion kriminal të drejtuar nga ata vetë.

mit/NOA
KOMENTE