Gjirokastër, 23 dhjetor, NOA – Policia Kufitare ka arritur të sekuestrojë një sasi të konsiderueshme hashashi, e cila ishte duke u dërguar drejt Greqisë. Bëhet fjalë për 60 kilogramë hashash të cilat transportoheshin nga dy persona.
Operacioni i Policisë Kufitare Shqiptare ka nisur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23.00. Policët kanë vrejtur me anë të dylbive se në zonën e Gjelbër të Kufirit dy shtetas ishin duke transportuar dy çanta në kufirin grek.
Ndjekja ndaj tyre ka nisur në fshatin Peshkëpi e Sipërme të rrethit Gjirokastër. Pas sinjalizimit të parë ka nisur dhe organizimi i forcave të kufirit së bashku me Policinë e Gjirokastrës.
Sapo dy trafikantët kanë parë afrimin e forcave të policisë janë larguar duke braktisur dy çantat. Pas kontrollit që ka bërë policia rezultojë se në secilën prej çantave janë gjetur 30 kilogramë hashash.
Drejtuesit e Policisë Kufitare të Gjirokastrës kanë kontaktuar me homologët e palës greke për të bërë të mundur kapjen e dy personave.
Policia e Gjirokastër bëri të ditur se personat që transportonin lëndën narkotike janë dy të rinj nga Libohova, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre.
a.k/NOA