Vlorë, 24 dhjetor, NOA - Me rastin e 55-vjetorit të krijimit të Estradës Profesioniste të Vlorës, presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje qytetin bregdetar, ku ishte i pranishëm në ceremoninë zyrtare të dekorimeve me rastin e 55-vjetorit të kësaj estrade.
Në emër të intelektualëve dhe artistëve të qytetit, përshëndeti Drejtori i Teatrit, Dhimitraq Furxhi, i cili, fillimisht i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen në qytetin e Vlorës dhe e falenderoi për praninë në përvjetorin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të artit, që për vite me radhë, ka dhënë një kontribut të veçantë në përçimin dhe evidentimin e vlerave artistike të qytetit, si dhe në pasurimin e jetës kulturore të artdashësve vlonjatë.
Më pas, përshëndeti Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, i cili, ndër të tjera vuri në dukje rëndësinë e vizitës së Presidentit në këtë aktivitet përkujtimor artistik dhe nderimin e vlerësimin e veçantë që i bëhet Vlorës dhe qytetarëve të saj nga prania e Presidentit të Republikës.
Më tej u këndua një kolazh me këngë popullore vlonjate të shoqëruara nga orkestrina dhe u shfaq një dokumentar i shkurtër i titulluar “Homazh për artistët, që nuk jetojnë më”. Gjithashtu në këtë 55-vjetor të Estradës Profesioniste, Këshilli i Bashkisë u akordoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” disa prej artistëve vlonjatë. Në përfundim u zhvillua ceremonia zyrtare e dekorimit të njëmbëdhjetë personaliteteve të njohura të skenës së Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës.
n.e/NOA