Tiranë, 24 Dhjetor 2010 NOA Update E.Tirana - Menjëherë pas z.Xhafaj e mori fjalën shefi i qeverisë i cili tha se kompromisi është plotësisht i mundshëm.
“Deputetët është e nevojshme të dinë se ne ofruam në takim që të shkruajmë se pranojmë që opozita të ketë shumicën faktike”, - tha Berisha.
“Ju kërkoni të bëni një hetim për të përmirësuar kodin duke shkelur Kodin. Kjo është tronditëse. Kjo është jashtë çdo lloj logjike”, tha Berisha duke ftuar socialistët që të respektojnë Kodin Zgjedhor.
Po ashtu Berisha u kujtoi socialistëve se ky Kod është krijuar prej tyre dhe mazhorancës aktuale.
“Ju doni të luftoni për një Kod më të mirë duke shkelur Kodin që kemi votuar me një marrëveshje”, tha Berisha duke theksuar se një gjë e tillë nuk do të lejohet.
Më tej Berisha tha se u ka ofruar socialistëve që të shkojnë në gjykatë për të ankimuar zgjedhjet dhe kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Vetëm në këtë mënyrë tha Berisha, mund të ndalet djegia e fletëve të votimit, duke shtuar se në të kundërt nevojiten katër milionë euro për të përgatitur kutitë e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Në fund të deklaratës së tij Berisha i ofroi opozitës duke iu drejtuar z. Xhafaj se ishte i gatshëm të pranonte tre pikat e parashtruara prej tij me kusht që PS të pranonte pikën e vetme siç tha Berisha, që të ekzekutohet djegia e fletëve të votimit.
Berisha theksoi se e bënte këtë kërkesë me qëllim që të respektojë deri në fund vendimet e gjyqësorit në Shqipëri dhe Kodit Zgjedhor.
***
Seanca plenare rifilloi në orën 02.15 të ditës së premte e drejtuar serish nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ia dha fjalën deputetit socialist Fatmir Xhafaj.
Ai tha se deputetët e PS kishin ardhur në seancë për të zgjidhur ngërçin ndaj tha se e mrëpritën propozimin e kryeministrit për të pasur një takim
“Për fat të keq nuk arritëm në një zgjidhje pozitive, për arsyen e thjeshtë se mazhoranca, megjithë përpjekjet e përbashkëta, vazhdoi të ishte refraktare, madje duke bërë hapa prapa”, - tha Xhafaj.
Ai tha se PS pranoi të modifikonte pikën e parë të propozimit për komisionin hetimor.
“Sa i përket pikës së dytë që lidhet me shumicën që kontrollon këtë komision, patëm hap prapa pasi mazhoranca ofroi një zgjidhje të dyshimtë”, - tha Xhafaj duke evidentuar se nuk ishte pranuar nga PS varianti i pasjes së mazhorancës në komision nga PD por dy prej tyre të tërhiqeshin, pasi ishte hedhur poshtë kërkesa e opozitës që kryetari të ishte i PS dhe të kishte 3 vota njëherësh.
Më tej Xhafaj u ndal edhe te pika 3 e kërkesës së PS ku deklarohej se nuk ka pretendim për fletët e votimit por për materialet zgjedhore.
Xhafaj tha se “ne kërkojmë një vendim me tre pika, hetim të zgjedhjeve mbështetur në kutitë me materialet zgjedhore, me shumicë vendimmarrje e ka opozita kurse shumicën numerike e ka mazhoranca”.
Xhafaj më tej renditi tre pikat:
1. Ngrihet komisioni hetimor parlamentar që shqyrton kutitë
2. Komisioni drejtohet nga opozita
3. Komisioni përbëhet nga tetë anëtarë të mazhorancës dhe opozitës dhe kryetari ka të drejtën e vlerës së tre votave.
Xhafaj theksoi se këto tre pika i ka kërkuar më herët Parlamenti Evropian duke vlerësuar më tej se “ky është rasti më i mirë që nëse kemi vullnetin ideal, të gjejmë këtë formulë kompromisi që është as e jona as e juaja por e Parlamentit Evropian”, deklaroi z.Xhafaj duke iu drejtuar sallës që kishte përballë dhe kryeministrit që ndodhej nga pas në kolltukët e kabinetit qeveritar.
Menjëherë pas z.Xhafaj e mori fjalën shefi i qeverisë i cili tha se kompromisi është plotësisht i mundshëm.
Dy deputetë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u mblodhën pas mesnatës duke hyrë dita e Premte, në një mbledhje që u tha se do të ishte disaminutëshe për të amenduar nenet e Komisionit Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Takimi vijoi për afro dy orë por konkludoi pa asnjë rezultat.
e.t/NOA