Jemi në prag të Krishtlindjes dhe afër fundit të vitit 2010. Janë dy raste shumë domethënëse për besimtarët, prandaj na u duk e dobishme t’ju drejtohemi juve, duke ju uruar gëzimin dhe paqen që na solli Jezu Krishti me ardhjen e tij në botë, dhe duke e falënderuar Zotin për vitin që po mbaron
Letra që ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri u kane drejtuar besimtareve katolike dhe njerëzve vullnetmirë me rastin e Krishtlindjeve
Tregimi i lindjes së Jezusit në Ungjillin e Lukës flet për gëzimin e barinjve pasi prej engjëjve morën lajmin e lindjes së Shpëtimtarit. Dhe gëzimin e tyre e shprehën duke madhëruar dhe lavdëruar Zotin. Lindja e Jezusit shënoi lindjen e një agimi të ri në historinë njerëzore, sepse Jezusi është zbulesa e madhe e dashurisë së Hyjit. Vetë Jezusi u bë dhurata më e madhe e Hyjit për njeriun.
Jezusi është një dhuratë e veçantë. Sepse Ai ka fuqi t’i shndërrojë ata të cilëve u dhurohet. Është e kot t’i ndryshojmë strukturat e shoqërisë, nëse nuk përpiqemi t’i ndryshojmë zemrat. Lindja e Jezusit ka ngritur themelet për një shoqëri të re. Prandaj edhe engjëjt, atë natë të lindjes së tij, kanë kënduar: “Paqe njerëzve vullnetmirë”. Si nxënës të Jezusit, nuk mund të mbetemi indiferentë para situatave armiqësore. Sikurse jemi shprehur edhe më parë, dëshirojmë dhe urojmë që, me vullnet të mirë nga ana e atyre që kanë përgjegjësi politike për vendin tonë, të gjendet rruga për zgjidhjen e situatës kritike që Shqipëria ka përballuar tashmë për një vit e gjysmë.
Bota ka dëgjuar dënesën e Jezusit fëmijë, ka parë varfërinë e tij dhe ende foshnjë ishte kërkuar për t’u vrarë. Atëherë njeriu vuri re se si Zoti u bë solidar me të gjithë ata që janë të mënjanuar në shoqëri, ata që janë viktima padrejtësie dhe ata që kanë përjetuar ndonjë fatkeqësi. Por njëkohësisht kemi çmuar solidaritetin që është treguar ndaj tyre. Me kënaqësi duhet të shprehim mirënjohjen tonë për ndihmën që Caritas-i Shqiptar, organizatë katolike, ka dhënë dhe vazhdon ti japë familjeve të përmbytura. Dashuria e krishterë duhet të shprehet në vepra konkrete.
FUNDI I VITIT 2010
Dhe duke ju afruar fundit të vitit 2010, nuk mund të mungojmë ta falënderojmë Zotin për shumë gjëra të bukura që na ka dhuruar gjatë këtij viti.
Duam të përmendim së pari njëqindvjetorin e lindjes të së Lumes Tereza. Edhe Kisha, edhe qeveria ka përkujtuar me shumë kremtime këtë përvjetor. Vërtet, e Lumja Nënë Tereza është një ikonë e shndritshme për popullin tonë dhe një dhuratë për mbarë njerëzimin. Të Lutemi që kremtimet që kemi organizuar gjatë këtij viti të na shtyjnë të shohim fytyrën e Krishtit Zot në fytyrat e të gjithë atyre për të cilët e Lumja Tereza e ka kushtuar jetën.
Gjithashtu duam të falënderojmë Zotin, sepse sivjet kemi kremtuar 20 vjetorin e lirisë fetare me Meshën e parë që u kremtua në Shkodër më 4 e 11 nëntor 1990 dhe kemi mbaruar fazën e parë të proçesit për lumturimin e martirëve Shqiptarë. Më 8 dhjetor, në Kishën Katedrale të Shkodrës, kemi kremtuar meshën e shenjtë të udhëhequr nga Kardinali Hummes me pjesëmarrjen e të gjithë ipeshkvijve të Shqipërisë dhe të shumë meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve, për të përkujtuar mbarimin e proçesit djoqezan për këta martirë. Tashti proçesi do të vazhdojë në Romë, dhe shpresojmë të mos vonohet dita kur mund të shpallen të Lumët dhe eventualisht Shenjtër.
Është rast gëzimi edhe heqja e vizave për të udhëtuar në shumë vende të Bashkimit Evropian. Kështu shumë familje do të kenë mundësi të bashkohen me familjarët e tyre që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.
Fort të dashur, le të jenë këto festa për të gjithë ne rast për t’u forcuar në fe. Biri i Hyjit u bë “Emanuel”, që do të thotë “Zoti me ne”. Ka marrë natyrën tonë njerëzore, që ne të bëhemi pjesëmarrës të natyrës së tij hyjnore. Ja dinjiteti me të cilin na ka stolisur Zoti Jezus. Urojmë që këto festa të jenë për të gjithë ne rast për t’i forcuar marrëdhëniet vëllazërore mes nesh. Ne, që kemi sprovuar dashurinë e madhe të Hyjit, le të bëhemi apostuj të vërtetë të kësaj dashurie, duke u angazhuar më shumë për paqen në rrethanat tona dhe duke treguar më shumë bujari ndaj atyre që kanë nevojë për mbështetjen tonë.