Shkodër, 24 dhjetor, NOA – Kompania “Eagle Mobile” mbyll suksesshëm 2010-ën, “Vitin e Mjedisit”, me mbjelljen e 40 pemëve të llojit rrap në zona të ndryshme qytetit të Shkodrës.
Këtë herë kompania ka qenë në kryeqendrën e veriut të vendit duke kontribuar në gjelbërimin e mjedisit.
Pjesa e hyrjes së qytetit, parku “Isa Boletini” dhe lagja “Mehmet Pashë Plaku”, që është dhe një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ishin ato kryesoret ku u bënë mbjelljet. Pemët e rrapit u mbollën në kuadër të gjelbërimit dhe dekorimin të këtij qyteti, në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me Bashkinë e Shkodrës.
Drejtues të Bashkisë Shkodër vlerësuan ndihmën e “Eagle Mobile”, aq më shumë në këto ditë të vështira për zonat e qytetit.
Kryetari i Bashkisë Lorenc Luka, tha se kjo është një ndihmesë e madhe sidomos për zonën e prekur nga përmbytja.
Duke vlerësuar shembullin e përgjegjësisë sociale të kompanisë, u bëri thirrje dhe kompanive të tjera të kontribuojnë në këtë aspekt.
Kjo nismë për natyrën është përgëzuar dhe ka gjetur mbështetje edhe nga qytetarët shkodranë.
Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, ka nënvizuar se ky kontribut është një vazhdimësi e projektit tashmë të njohur “Një me Natyrën” që ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe të të gjithë atyre që kanë mundësinë të kontribuojnë sadopak për mjedisin.
“Më parë kemi qenë në Shkodër për të kontribuar në lehtësimin e situatës dhe ndihmën e banorëve të Nënshkodrës gjatë periudhës së përmbytjeve të Janarit në fillim të vitit. Ndërsa tani kemi menduar që të bëjmë diçka në këtë drejtim në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës”, tha ai.
“Eagle Mobile” ofroi së fundi komunikim falas për pjesëtarët e skuadrave të shpëtimit për lehtësi komunikimi, ndërkohë që fushata për kontributin qytetar në zonat e prekura nëpërmjet SMS-ve ende vazhdon.
Çdo qytetar mund të japë ndihmesën personale duke dërguar në 56056 SMS që kushton 50 Lekë (pa TVSH).
“Eagle Mobile” këtë vit ka patur prioritet të projekteve sociale nismën “Një me Natyrën”. Në këtë projekt janë përfshirë pastrime të mjedisit nga nxënës të shkollave të mesme në Durrës, Lezhë, Vlorë, Tiranë, Kamëz dhe Kukës, ndërkohë që janë bërë mbjellje pemësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, janë ndërtuar parqe lojërash si dhe janë rehabilituar zona urbane.
n.e/NOA