Uashington, 24 dhjetor, NOA - Ish-emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Robert Gelbard, duke folur rreth fillimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, pas raportit të Dik Martit për trafikim me organe njerëzore, tha se akuzat ndaj Hashim Thaçit "janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe po aq serioze sa që për to duhet patjetër zbatuar hetime".
Ndërkaq për Dik Martin, Gelbard tha se "është i prirur për senzacionalizëm, por ai ka paraqitur akuza serioze të cilat duhet të hetohen". "Mirëpo akuzat në lidhje me Thaçin nuk kanë ndikim në çështjet e pavarësisë së Kosovës", theksoi Gelbard.
Ai i shpreh mirënjohje qeverisë së Thaçit, për të cilën tha se ka vënë në dukje se ekzistojnë çështje praktike midis dy vendeve fqinje që duhet zgjidhur. "Rasti i Thaçit nuk duhet të jetë pengesë në rrugën drejt zgjidhjes së çështjeve të tilla të cilat janë në interes të ndërsjellë të Beogradit dhe Prishtinës", tha Gelbard në një intervistë për "Zërin e Amerikës" në serbisht.
Ndërkaq, duke folur për rreth marrëdhënieve të mëtejshme të SHBA-ve me Beogradin, Gelbard raportet mes SHBA-ve dhe Serbisë i vlerëson të mira, ndonëse siç tha, mund të jenë më të mira. Ai tha se vizita e nënpresidentit Bajden dhe e sekretares së Shtetit Klinton kanë shënuar përparim në marrëdhënie dhe bashkëpunim. "Tani gjithashtu kemi edhe ndihmës sekretarin e shtetit shumë të aftë, Tom Kantrimen, i cili është i martuar me një serbe". "Në Beograd kemi një ambasadore të jashtëzakonshme - Meri Uorlik", tha Gelbard, dhe shtoi se administrata e Obamës është e angazhuar dhe po punon, megjithëse "ekzistojnë disa komplikime, para së gjithash preokupimet e Beogradit me Kosovën".
NOA/VOA