Tiranë, 24 dhjetor, NOA – U tha se dje do të ishte seanca e fundit plenare për këtë vit, por mesa duket nuk paska qenë kështu, pasi palët nuk arritën që të kenë asnjë konsensus mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar.
Kështu, pas një seance maratonë e cila nisi që në mëngjesin e djeshëm dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm, palët sërish nuk i dhanë dot zgjidhje çështjes së hetimit të zgjedhjeve, e cila sipas pretendimit të opozitës, ka për të zgjidhur ngërçin politik që ekziston prej dy vitesh në vendin tonë.
Nga ana e saj, mazhoranca përmes kryeministrit Sali Berisha, la të kuptonte se është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por se nuk mund të pranojë që ky hetim të kryhet në shkelje të ligjeve, vendimeve të Gjykatave dhe Kushtetutës së vendit.
Ndërsa opozita nga ana e saj, kërkoi që Kuvendi të mblidhet sërish të hënë për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar.
Në kushtet e mungesës së akordit, Ruçi kërkoi që votimi për Komisionin Hetimor për zgjedhjet e vitit 2009 të shtyhet për ditën e hënë.
Kërkesa u pranua nga mazhoranca, ndërsa u vendos që gjatë kësaj kohë të vazhdojnë edhe bisedimet në kërkim të konsensusit.
n.e/NOA