Prishtinë, 24 dhjetor, NOA-Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi i ka dërguar një letër vendeve anëtare të Këshillit të Europës lidhur me raportin e Dick Marti.
Kjo letër është bërë publike në mediat kosovare, dhe ka për përmbajtje shqetësimin e Krasniqit dhe popullit të Kosovës.
“Ky raport bazohet tek deklaratat e papërgjegjshme të ish-Kryeprokurores Carla Del Ponte, të cilat nuk janë gjë tjetër veç një inkurajim i ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për të revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë, si dhe për të justifikuar dështimin e saj si prokurore, duke mos vënë para drejtësisë kriminelët e njohur të luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e ushtruesit të detyrës së presidentit.
“Menjëherë kam shprehur indinjatën e thellë për këtë raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare”, vijon më tej letra.
Sipas Krasniqit, prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i ka mbyllur këto hetime për shkak të mungesës së provave të bazuara.
Në përfundim kreu i shtetit në detyrë, ka kërkuar mbështetjen e vendeve të KiE-së, duke thënë se, akuzat e raportit kanë për qëllim të pengojnë njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe të dobësojnë pozitat e qeverisë së Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.