Tiranë, 24 Dhjetor 2010 NOA Update/ Ervin Tirana – Dështojnë negociatat finale mes PD dhe PS për të ngritur një komision hetimor për zgjedhjet e kaluara parlamentare pasi palët nuk arritën një konsensus. Pohimin e bëri deputeti socialist Fatmir Xhafaj në rifillimin e seancës së nisur paraditen e së enjtes që vazhdoi si maratonë duke theksuar se tani ka një rikthim në pikën zero në këtë debat.
Seanca plenare rifilloi në orën 02.15 të ditës së premte e drejtuar serish nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ia dha fjalën deputetit socialist Fatmir Xhafaj.
Ai tha se deputetët e PS kishin ardhur në seancë për të zgjidhur ngërçin ndaj tha se e mrëpritën propozimin e kryeministrit për të pasur një takim
“Për fat të keq nuk arritëm në një zgjidhje pozitive, për arsyen e thjeshtë se mazhoranca, megjithë përpjekjet e përbashkëta, vazhdoi të ishte refraktare, madje duke bërë hapa prapa”, - tha Xhafaj.
Ai tha se PS pranoi të modifikonte pikën e parë të propozimit për komisionin hetimor.
“Sa i përket pikës së dytë që lidhet me shumicën që kontrollon këtë komision, patëm hap prapa pasi mazhoranca ofroi një zgjidhje të dyshimtë”, - tha Xhafaj duke evidentuar se nuk ishte pranuar nga PS varianti i pasjes së mazhorancës në komision nga PD por dy prej tyre të tërhiqeshin, pasi ishte hedhur poshtë kërkesa e opozitës që kryetari të ishte i PS dhe të kishte 3 vota njëherësh.
Më tej Xhafaj u ndal edhe te pika 3 e kërkesës së PS ku deklarohej se nuk ka pretendim për fletët e votimit por për materialet zgjedhore.
Xhafaj tha se “ne kërkojmë një vendim me tre pika, hetim të zgjedhjeve mbështetur në kutitë me materialet zgjedhore, me shumicë vendimmarrje e ka opozita kurse shumicën numerike e ka mazhoranca”.
Xhafaj më tej renditi tre pikat:
1. Ngrihet komisioni hetimor parlamentar që shqyrton kutitë
2. Komisioni drejtohet nga opozita
3. Komisioni përbëhet nga tetë anëtarë të mazhorancës dhe opozitës dhe kryetari ka të drejtën e vlerës së tre votave.
Dy deputetë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u mblodhën pas mesnatës duke hyrë dita e Premte, në një mbledhje që u tha se do të ishte disaminutëshe për të amenduar nenet e Komisionit Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Takimi vijoi për afro dy orë por konkludoi pa asnjë rezultat.
e.t/NOA