English

Pasqyra e Shtypit, 24 Dhjetor 2010

Tiranë, 24 dhjetor, NOA - Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor punimet e djeshme të Kuvendit, ku nuk u ra dot në konsensus për miratimin e komisionit hetimor për zgjedhjet, shoqëruar me të gjitha debatet përkatëse.

Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i akuzave të hedhura nga Rama kundër Daut Kadriovskit, se ky e paska kërcënuar me vdekje, shoqëruar me detajet e takimit dje në prokurori mes tij dhe Ina Ramës.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Sali Berisha flet për vdekje të Kokëdhimës dhe funeral të Edi Ramës”, i cili tregon batutat e djeshme në seancën maratonë të Kuvendit, hedhur nga kryeministri Berisha.

“Liliana Hoxha rrëfen fotot me Berishën në vitet ‘80”, është një artikull që citon reagimin e nuses së djalit të diktatorit, mbi fotot e rralla të viteve ’80, kur familja Berisha pushonte me ta.

“Lirohet nga burgu Emiliano Shullazi” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Debati në Kuvend/ Negociatat pas mesnate, dështon kompromisi”, i cili flet për negociatat në orët e vona mes palëve dje në Kuvend për komisionin hetimor, pa e arritur dot kompromisin.

“Divorcohen prindërit e Bleonës së zhdukur, babai denoncon: Vajzën e ka shitur gruaja për të marrë para’”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Kadriovski, 50 minuta dëshmi për Ramën dhe Braçen”; “Mjekët dhe infermierët, deri në një pagë shtesë”; “Familja Hoxha: Me Berishën kishim miqësi si intelektual i kohës” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Negociata pas mesnate, kriza pezull në Kuvend”, e cila citon të gjitha debatet e zhvilluara dje në seancën maratonë ku nuk u arritdot një zgjidhje për komisionin hetimor mbi zgjedhjet 2009.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Babai i Bleonës së zhdukur denoncon gruan: Ti e zhduke vajzën, trego ku është!”, “Sokol Hoxha: Miqësinë me Berishën nuk e kemi fshehur asnjëherë”, është artikulli referuar fotove ekskluzive të viteve ’80.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Berisha ndryshon qëndrim për hetimin e zgjedhjeve”, i cili tregon projektin e Athinës zyrtare për regjistrimin e pronave.

“Dosja Kokaina, gjykata liron Frederik Durdën”, është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili flet për shkeljet në kontratat për kromin nga ish-ministri i Ekonomisë.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Kadriovski, Edi Rama 30 minuta takim me kryeprokuroren”, “Maqedoni, tifozët djegin flamurin shqiptar” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Hetimi i zgjedhjeve, formula që oron PD”, i cili pasqyron propozimin e mazhorancës për komisionin hetimor mbi hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Vasilika Hysi: Po miratoni kaq shumë ligje, saqë nuk mundemi t’i lexojmë”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Hashim Thaçi: Raporti, Marti fshehu gjysmën që e inkriminon”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 24 Dhjetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

n.e/NOA

KOMENTE