Tiranë, 24 Dhjetor 2010 NOA Update E.Tirana – Pas Berishës e mori fjalën z. Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS.
“Para dy muajsh në një pritje, përfaqësuesi i delegacionit të BE kërkoi që opozita të hiqte dorë nga fletët e votimit dhe këtë duhet ta thoni”, - citoi Ruçi.
Ai tha se të nesërmen e asaj dite, Edi Rama deklaroi në emër të opozitës pikërisht këtë gjë. Megjithatë tha z. Ruçi, prej një viti e gjysmë, kryeministri po mban peng këtë hetim.
“Ne jemi ligjvënës dhe kemi të drejtë të kërkojmë të dijmë se si është zbatuar ligjshmëria dhe këtë kontroll duam ta bëjmë te kutitë e materialeve zgjedhore”, tha Ruçi duke këmbëngulur më pas se edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian por edhe në ofertën e mazhorancës ishte kërkuar dhe ofruar pikërisht kjo që po refuzohej sot.
“Bëj ç’të duash me fletët e votimit, ne na mjaftojnë kutitë me materialet zgjedhore”, - tha Ruçi.
Këto zhvillime erdhën pasi dy deputetë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u mblodhën pas mesnatës duke hyrë dita e Premte, në një mbledhje që u tha se do të ishte disaminutëshe për të amenduar nenet e Komisionit Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Takimi vijoi për afro dy orë por konkludoi pa asnjë rezultat.
e.t/NOA