English

Tahiri: Ministri Ruli ka shpërdoruar detyrën, justifikimet e tij janë bajate

Tiranë, 24 dhjetor, NOA-Selia rozë ka reaguar pak minuta më parë lidhur me deklaratat e ministrit të bujqësisë Genc Ruli për koncesionet minerare.

Deputeti socialist Saimir Tahiri, lidhur me deklaratën e ministrit u shpreh se, “Genc Ruli shau dhe akuzoi këdo që ka guxuar të denoncojë aferën e tij të fundit me një kompani private, por nuk dëgjuam prej tij asnjë argument bindës se përse ai nuk duhet të përfundojë në Prokurori si i pandehur për këtë skandal prej miliona eurosh”.

Sipas tij, ky nuk ishte veçse një justifikim i radhës i aferave korruptive.

“Genc Ruli ka ndryshuar kushtet e kontratës koncesionare duke e shtyrë kështu detyrimin e kësaj kompanie për të investuar miliona euro, veçanërisht për përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë”, vijoi më tej Tahiri.

Ndërkaq ai theksoi se, ministri Ruli i ka falur kësaj kompanie edhe borxhin prej 1.6 milion eurosh duke e lidhur atë me rimbursimin e TVSH.

Deputeti socialist përfundoi deklaratën duke shtuar se, këto janë fakte konkrete të shpërdorimit dhe abuzimit me detyrën.

a.y/NOA
KOMENTE