English

Artan Grubi: Si hetuam “Shtëpinë e Verdhë” në vitin 2004, Basha nuk ka qenë

Shkup, 25 dhjetor, NOA - Artan Grubi, lideri i Lëvizjes “Zgjohu!” zbardh detajet për pjesëmarrjen e tij në misionin hetues të Tribunalit të Hagës në “Shtëpinë e Verdhë” në fshatin Gurrë të Burrelit në shkurt të vitit 2004.

Në një deklaratë dhënë dje, Grubi shprehet se ka pasur një hetim të Hagës për këtë çështje dhe juridikisht kjo duhet të quhet e mbyllur. Nga ana tjetër Grubi rrëzon deklaratat e mjekut ligjor të UNMIK-ut Jose Pablo Barybar. Drejtuesi i Lëvizjes Zgjohu thotë se ministri Basha nuk ka qenë në Gurrë.

Dëshmia e plotë e Artan Grubit:

“Sot jam këtu para jush jo si aktivist i shoqërisë civile, por po ju drejtohem në cilësinë e ish të punësuarit pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish Jugosllavi, më e njohur për opinionin publik si Tribunali i Hagës. Kam punuar pranë këtij institucioni të Kombeve të Bashkuara nga tetori i vitit 2000 gjer më 31 dhjetor të vitit 2004.

E ndjeja si obligim moral, ligjor dhe kombëtar të paraqitem para jush dhe nëpërmjet jush para opinionit mbarëshqiptar dhe botëror në lidhje me të ashtuquajturin raport të Dick Marty. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i brengosur nga trazirat e padrejta nëpër të cilat po kalon populli im, kudo që jeton si dhe etiketimet e padrejta që po i bëhën Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet saj të gjithë shqiptarëve.

Në javën e parë të muajit shkurt të vitit 2004, i ngarkuar me detyrë nga Trribunali i Hagës mora rrugën për në Shqipëri, bashkë me një roje nga Finlanda, me dy vetura diplomatike. Atje u takuam me shefin tonë, hetuesin e Tribunalit të Hagës i cili kishte arritur me aeroplan. Pasi që u takuam dhe u vendosëm në hotel, vajtëm për darkë ku u takuam me ekipin e mjekëve ligjor të UNMIK-ut që udhëhiqej nga Jose Pablo Barybar. Më pas morëm rrugën për Burrel dhe më vonë edhe për fshatin Gurrë ku gjetëm të ashtuquajturën “shtëpinë e verdhë” dhe vijuan hetimet gjatë gjithë ditës.

Nuk jam para jush të mbroj asnjë person ose zyrtar, jam para jush për t’a thënë të vërtetën e cila edhe është thënë edhe më herët por shumë pak po bëhet që ajo të zbërthehet. Është absolutisht e pavërtetë që Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka qenë në fillim të shkurtit të vitit 2004 në fshatin Gurrë pasi që unë isha i vetmi shqiptar, shoqërues i ekipit zyrtar të Tribunalit dhe UNMIK-ut. Aty ishin edhe familjarët e shtëpisë dhe prokurori shqiptar bashkë me shoqëruesit e tij.

Po reagoj sot para jush duke parë që e gjithë kjo fushatë ka filluar me të pavërteta dhe duke parë që mediat, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera nuk përfillin faktin që ky hetim nga ana e Tribunalit të Hagës nuk gjeti asnjë dëshmi dhe rrjedhimisht nga mungesa e provave dhe dëshmitarëve nuk mund të ndërtohet rast siç ka cekur edhe vet kryehetuesi i Tribunalit për këtë rast në Maj të këtij viti për BBC-në.

Edhe hetimet tjera, siç u raportua, përfunduan me të njejtin rezultat. Një shqetësim tjetër që duhet t’ju shërbejë si udhëzim për cilësinë e këtij raporti është edhe përmendja e trilluar e personave të cilët nuk kanë qenë në atë vend dhe me sa di unë, asnjëherë nuk kanë punuar për Tribunalin e Hagës. Shqetësim edhe më të madh paraqet etiketimi i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, luftës së popullit shqiptar, gjithë kombit shqiptar si dhe personave për të cilët asnjëherë s’kam ndëgjuar të janë pjesë e hetimeve në këtë rast ose të përmenden si të involvuar.

Raporti i kontestuar që po përcillet me deklarata trilluese, në tërësinë e vet nuk po sjell asnjë fakt dhe asnjë dëshmi të re për këto supozime, por është kryekëput politik dhe po shkakton dëm të paparashikueshëm për popullin shqiptar, Republikën e Kosovës, familjet e personave të zhdukur dhe të pagjetur gjatë konfliktit si dhe për integritetin e të gjithë personave të involvuar në zbardhjen e fatit të mijëra viktimave të konfliktit dhe hedhjen dritë mbi krimet e rënda të kryera në Kosovë”.

NOA-INA

KOMENTE