Shkodër, 25 dhjetor, NOA-Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për të festuar festën e Krishtlindjeve.
Basha është ndalur në Dajç, ku fillimisht ka takuar Arqipeshkvin e Shkodrës Angelo Masafra, në kishën katolike të Shkodrës.
“Kam një urim të veçantë, që t’i kalojmë sa më shpejt pasojat e kësaj përmbytje, pasojat jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe shpirtëror, me besimin tek Zoti, me besimin tek shpresa e rilindur që kjo festë përfaqëson, me solidaritetin e plotë dhe mbështetjen tek njëri tjetri”, u shpreh Basha në fjalën e tij para qytetarëve të Shkodrës.
Më tej ai shprehu bindjen se kjo situatë e vështirë në qytetin e përmbytur do të kapërcehet shumë shpejt.
Ministri Basha, mori pjesë edhe në meshën e Krishtlindjeve në kishën e Dajçit, vend i cili është prekur më së shumti nga fatkeqësia e përmbytjeve.
I ngarkuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile për të drejtuar shtabin e emergjencës në komunën problematike të Dajçit, Basha tha se po kryhet punë me ritme të jashtëzakonshme për të përforcuar argjinaturat mbrojtëse.
a.y/NOA