Shkodër, 25 dhjetor, NOA – Në ndryshim nga krerët e tjerë të vendit Lindjen e Krishtit zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta e ka festuar me banorët e komunave të përmbytura të Shkodrës. Zëvendëskryeministri Meta vizitoi komunën Bushat të Shkodrës, e cila është ende nën ujë. I shoqëruar nga Ministri i shëndetësisë Petrit Vasili, Prefekti Maxhid Cungu dhe nga deputetët e Shkodrës Gjok Uldedaj dhe Gëzim Dibra, ka zhvilluar një vizitë në familjen e Prek Sukaj në Malin e Jushit.
Duke i uruar Kryefamiljarit Prek Sukaj festën e Krishtlindjeve, Zëvendëskryeministri Meta i uroi të gjithë banorëve të përmbytur të Shkodrës dhe Nënshkodrës të gëzojnë Krishtlindjet.
Në mënyrë të veçantë Meta ua drejtoi urimin e tij të gjitha atyre familjeve, të cilat u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore, duke shpresuar, që këto Krishtlindje të jenë të mbara për të sjellë më shumë fat, mbarësi dhe solidaritet për të gjithë banorët e Shkodrës, që të dalin sa më shpejtë nga pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.
Gjatë bisedës të zhvilluar me kryefamiljarin Prek Sukaj, zëvendëskryeministri Meta u njoh me fatkeqësinë e tyre familjare, i cili nga përmbytjet e vitit 1963, kishte humbur vëllanë.
Më tej, zëvendëskryeministri Meta shprehu besimin se me organizimin dhe përkushtimin që po tregohet situata do të vijë drejt përmirësimit dhe rehabilitimit të pasojave.
Megjithatë, sipas Metës e rëndësishme është që nuk ka humbje në jetë njerëzore.
“Unë kam besim se me këtë organizim dhe me këtë përkushtim situata do të vijë drejt përmirësimit, do të vijë drejt normalizimit dhe drejt rehabilitimit të këtyre pasojave”, vlerësoi Meta.
mit/NOA