Shkup, 25 dhjetor, NOA-Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ashpër ndaj djegies së flamurit Shqiptar në Shkup gjatë një ndeshjeje basketbolli.
“Kjo shkelje e rëndë si dhe provokim i rradhës i cili vjen nga ky pushtet edhe një herë vërteton nacionalizmin dhe barbarizmin e skajshëm të maqedonasve kundrejt shqiptarëve”, deklaroi zëdhënësi i PDSH-së , Luan Tresi.
Më tej ai tha se,PDSH posedon inçizimin ku shihet qartë dëmtimi i flamurit shqiptar nga persona të caktuar të përcjellura me brohoritjet “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, “dhoma gazi për shqiptarët”.
PDSH kërkon hetim të menjëhershëm nga MPB-ja dhe prokuroria, zbardhjen e rastit dhe dënimin e kryerësve të kësaj vepre. Në të kundërtën, ata thanë se do të ngrejnë aktpadi kundër MPB-së për fshehje të qëllimshme të fakteve dhe moszbatimin e ligjit.
“Këtë inçizim ia dhurojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme për Vitin e Ri. Gjithashtu, fotografi ku shihet qartë dëmtimi i flamurit kombëtar shqiptar u publikuan edhe në disa gazeta ditore dhe të njëjtat ngjallën hidhërim dhe mllef tek mbarë popullata shqiptare. PDSH-ja do ta alarmojë gjithë faktorin ndërkombëtar në vend dhe nga ata do të kërkojë reagim të ashpër ndaj këtyre dukurive”, deklaroi Tresi.
Tifozët maqedonas ditën e mërkurë në një lojë basketbolli mes “Rabotniçkit” dhe “KB Lirisë”, dogjën flamurin shqiptar.
a.y/NOA