English

PDU: Athina zyrtare të zgjidhë problemet e pronave me Shqipërinë

E shtunë, 25 dhjetor, NOA- PDU kërkon që Athina zyrtare të zgjidhë sa më parë problemet e pronave të shqiptarëve, sipas Konventës Evropiane dhe Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve.

Lidhur me këto zhvillime ajo bën me dije se: “Së pari, nisur nga të dhënat zyrtare, madje të konfirmuara dhe nga pala greke në komunikimet e saj me Lidhjen e Kombeve në vitet 30, në Breg, nuk ka minoritarë. Në vërtetimin e origjinës etnike të një shtetasi nuk është përcaktues momenti subjektiv, dëshira e tij në një moment të caktuar historik, apo vetëm një moment i caktuar objektiv si gjuha e dytë e folur, por një tërësi elementësh objektivë të përcaktuar nga Konventa Kuadër e Minoriteteve e Këshillit të Evropës, miratuar nga Shqipëria, por jo nga Greqia”, thekson PDU.

Së dyti, sipas kësaj partie, para se të ndërmarrë një akt të tillë Greqia, duhet të heqë të gjithë pengesat ligjore dhe jo ligjore që ndalojnë shtetasit e Shqipërisë të gëzojnë lirisht pronat e tyre në territorin grek, sipas nenit 15 të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, apo Protokollit të parë shtesë të Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e njeriut.

“Ne kërkojmë që të funksionojë sa më parë Komiteti mikst midis dy vendeve për çështjen e pronave dhe pasurive shqiptare në Greqi. Qeveria shqiptare dhe ajo greke duhet të respektojnë parimin e reciprocitetit të afirmuar në këtë Traktat”, thekson PDU, duke shtuar se nëse OSBE-ja, është e përfshirë në një projekt të tillë, kjo parti kërkon që kjo organizatë të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, ku komuniteti çam përbën grupin kryesor të pronarëve.

Partia për Drejtësi dhe Unitet bëri të ditur këtë qëndrim pas zërave për ekzistimin e të ashtuquajturës “zyrë në Athinë” për pronat e minoritarëve në bregdetin shqiptar.

PDU ka shprehur disa kërkesa për zgjidhjen e këtyre problematikave të ndërsjella.

(INA)/NOA
KOMENTE