"Në Sarajevë, ecëm përgjatë urës ku një serb i Bosnjës, i quajtur Gavrilo Princip, vrau peshkopin Franz Ferdinand dhe e filloi një masakër. Sarajevasit e thjeshtë e nxituan në drejtim të tij. Ata nuk kishin harruar se çfarë kishte bërë ai dhe dëshironin t’i shtrëngonin dorën. Gra dhe burra kishin lot në sytë e tyre ndërsa falënderonin amerikanin për shpëtimin, për rikthimin e nderit dhe njerëzimit në shtetin e tyre, dhe në botën tonë".
Christiane Amanpour
Çfarë mund të thoni për një problem si ai Richard Holbrookes? Ju ose e keni dashur, ose e keni urryer, apo që të dyja. Unë për vete, e kam dashur. Shumica e gazetarëve e kanë dashur. S’ka asgjë për t’u turpëruar në këtë punë. Ai na merrte seriozisht dhe ne atë po ashtu. Ne e dinim sesa shumë e vlerësonte ai hapësirën që ia kushtonim, por nuk ishim budallenj dhe ai nuk ishte një batakçi: Ai haptazi dëshironte të kishte sa më shumë hapësirë që ishte e mundur, apo pjesën më të madhe, jo për vete, por për misionin e tij. Holbrooke ishte një diplomat i rrallë, i cili kuptonte nevojën për ta shtruar rastin e tij publikisht – se shtypi jo gjithnjë ishte një reklamues, por ndonjëherë një metodë efikase për avancimin e qëllimeve të Amerikës.
Ishte kjo një negociatë delikate – kush ishte shfrytëzuesi dhe kush i shfrytëzuari, dhe pse; mirëpo ekzistonin kohëra kur qëllimet e Amerikës dukeshin aq pashmangshmërisht të drejta, saqë marrëdhënia jonë profesionale me Holbrooken, apo të paktën ajo imja, nuk e trazonte aspak vetëdijen tonë gazetareske. Ai ishte një njeri shumë i mençur, mirëpo në punën e tij ai nuk humbi asnjëherë nga mendja dimensionin moral. Ai nuk ishte një moralist, në asnjë mënyrë, por ai ishte njeri i moralshëm dhe ai ishte sinqerisht i angazhuar në përdorimin e fuqisë dhe bindjes amerikane për të pakësuar mizoritë në botë.
Ne e kuptuam se kur Holbrooke na tregon gjëra, ai shpesh i tjerr ato çmendurisht – si përmes përdorimit të forcës ashtu edhe përmes shumëllojshmërisë së fjalëve, dhe ma thotë zëshëm dhe mjaft shpesh se do të ndryshojë gjërat në terren dhe përreth tryezës së negociatave.
Ishte punë jonë që të shkojmë përtej kësaj. I sertë, trupmadh, përdhosës, pa pritshëm i ndjeshëm dhe shumë zbavitës, Holbrooke ishte pikërisht e kundërta e organizatës së burrave dhe grave që shpesh i mbushin shërbimet qeveritare në vend dhe jashtë. Ai ishte pompoz. Sofistikimi i tij diplomatik erdhi shumë shpejt. Rasti më i paharrueshëm i kësaj ishte në Bosnje, ku mësova se një gazetar ndonjëherë duhet të përfshihet moralisht, dhe ku Holbrooke përjetoi triumfin e tij më të madh.
Në Bosnje ne ishim si një lloj ekipi, shtypi dhe njeriu i presidentit. Ata në mesin tonë që përjetonim zemërim të përditshëm për spastrimin etnik – një gjenocid i ri dhe në Evropë – ishim të zënë ngushtë ndërmjet inatit dhe shpresës në ndjenjat tona për Shtetet e Bashkuara të Amerikës: inat, për shkak të administratës në Washington, bashkë me qeveritë e tjera Perëndimore, që dukeshin të kënaqur për aq shumë kohë vetëm duke shikuar shpalosjen e katastrofës dhe duke mos bërë asgjë për të ndaluar atë, dhe shpresës, për shkak se besonim pa fare rezerva se vetëm Amerika mund t’i jepte fund vrasjes së të pafajshmëve. Nuk mund të besonim në fat, kur Richard Holbrooke, një raketë që i ndiqte problemet, ishte i angazhuar në skenë. Nëse dikush mund të mposhtte diktatorin e tërbuar të Serbisë, i cili i kishte shndërruar në njerëz të tij të armatosur madje edhe fëmijët e vegjël, atëherë ky ishte Holbrooke. Dhe ai edhe e bëri këtë.
I kam dëgjuar disa njerëz të hamenden rreth asaj se pse Richard Holbrooke ishte aq i zhurmshëm dhe i lavdëruar në botë. Mbi të gjitha, ai as që ishte sekretar Shteti ndonjëherë. Si një njeri që ishte dëshmitar dhe përcolli karrierën e tij, më lejoni që të përpiqem të shpjegoj. Rrëfimi fillon në Sarajevë. Më 1984, ky kishte qenë qyteti ku mbaheshin Lojërat Dimërore Olimpike. Ishte kryeqyteti i mirënjohur i diversitetit evropian: myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë jetonin aty për shekuj me radhë të përzier njëri me tjetrin, e madje edhe të martuar. Gjatë luftës së Ftohtë, Jugosllavia ishte anëtarja e fundit e bllokut sovjetik. Mirëpo deri në vitin 1992, me rrëzimin e komunizmit, diversiteti mori një pamje të shëmtuar dhe kapi armët, me ç’rast kërkimi ekstrem i identitetit etnik – më saktësisht, identitetit serb dhe kroat – shkaktoi luftë. Kur, sikurse Kroacia, Bosnja u zotua për vetë pavarësinë e saj postkomuniste, kjo gjë solli me vete një zemërim ksenofobie në Serbi, e cila i nxiti serbët ortodoksë në Bosnje që të terrorizojnë dhe shkatërrojnë popullatën myslimane në Bosnje. Ata ngritën kampe të përqendrimit. I shndërruan përdhunimet sistematike në një instrument lufte. Ata rrethuan dhe bombarduan Sarajevën dhe qytetet e tjera për tre vjet e gjysmë.
Më kujtohet bora e spërkatur me gjak në atë dimrin e parë ngrirës të luftës në Sarajevë; rozetat e bëra nga mortajat që binin nëpër rrugë, trotuare, fusha loje, spitale, shtëpi dhe tregje. Më kujtohen burrat, gratë dhe fëmijët e qëlluar nga snajperët derisa shkonin për në punë apo dërgoheshin në shkolla, ose qëndronin në rresht për të mbushur ujë. (Serbët kishin ndalur ujin dhe rrymën).
Atë dimër ne i shikonim njerëzit në Sarajevë – përfshirë këtu edhe ish-elitën kulturore dhe arsimore të Jugosllavisë – duke i prerë drunjtë për t’i nxehur shtëpitë e tyre, për t’u ushqyer dhe të ngroheshin. Mungesa e ushqimit ka mbizotëruar gjatë gjithë rrethimit. Varreza e vogël e qytetit shumë shpejt u stërmbush. Varret, kryesisht të shënjuara me pllaka të vogla druri, u përhapën nëpër fusha të futbollit dhe në fushat e zbrazëta përreth stadiumit olimpik, ku Torvill dhe Dean kishin rrëshqitur për të shënuar kulmin e famës. Do të qëndroja zgjuar gjatë natës, duke u hamendur rreth asaj se çfarë kishte motivuar burrat që të vendosnin kokat e fëmijëve në tytat e pushkëve të tyre. A nuk ishin baballarë edhe ata? Dhe hamendesha shumë rreth asaj se në çfarë bote po jetonim ne që mund ta toleronim këtë gjë për kaq shumë kohë.
Ne gazetarët ishim po ashtu në vija të frontit. Ne, po ashtu, ishim në shënjestër të pushkëve dhe snajperëve. Humbëm shumë shokë dhe kolegë. Ishte kjo hera e parë që gazetarët po merreshin në shënjestër me qëllim, edhe pse tani kjo gjë duket të jetë kthyer në dukuri. Ne ishim përgjakur në Bosnje, fizikisht, mentalisht dhe moralisht. Them moralisht, për shkak se që nga fillimi i luftës asnjë nga fuqitë e mëdha apo të vogla, asnjë nga demokracitë liberale, shoqëritë e të cilave ishin të themeluara mbi parimet e drejtësisë, tolerancës dhe barazisë fetare, nuk treguan ndonjë interesim për intervenuar në ndalimin e tyre. Ne dëgjuam shumë herë se kjo ishte vetëm një luftë civile. “Urrejtja etnike shekullore”, “Fantazmat e Ballkanit”, “Të gjitha anët janë njësoj fajtore”: Mund ende t’i dëgjoj arsyetimet e ftohta.
Ishte pikërisht në Bosnje vendi ku unë mësova – nuk e kam ndërmend t’i bëj lajka mikut tim personal, por Bosnja, dhe roli i tij në të, ishin të pandara nga arsimimi im personal – se çfarë do të thotë të shoh në mënyrë të drejtë atë gjë dëshmitare e të cilit po bëhesha dhe ta emërtoja atë me emrin e duhur.
Kur më kishin pyetur se pse nuk isha më e balancuar në raportet e mia nga Sarajeva, unë pyesja nëse balanca duhej të nënkuptonte shpikjen e një rrëfimi, për shkak se nuk kishte balancë në rrëfimin që unë po mbuloja. Gjenocidi është një situatë që nuk mund të balancohet. A isha dashur unë, në emër të të qenit fer, të shpikja një ekuivalencë të rreme morale ndërmjet viktimës dhe agresorit? Nuk mundja, dhe nuk do ta bëja; por këtë gjë e mësova në Sarajevë. Aty mësova për objektivizmin – se t’u japësh të gjitha palëve hapësirë të njëjtë nuk do të thoshte trajtimin e të gjitha anëve në mënyrë të barabartë, posaçërisht në situata të shkeljeve mizore të të drejtave njerëzore. Trajtimi i të gjitha anëve në mënyrë të barabartë në Bosnje do të më bënte edhe mua një bashkëfajtore.
Richard Holbrooke e dinte këtë gjë. Ai thuajse nuk e kishte fare dhuntinë për t’i dëgjuar me kujdes të gjitha palët, por ai mbante anë. Ishte ana e paqes dhe e njerëzisë – e cila, në Ballkan, në atë konflikt, nënkuptonte se ishte ana e Bosnjës.
Edhe para se ai të caktohej i dërguar i presidentit Clinton në Bosnje, Holbrooke kishte shkuar atje si një qytetar privat për të studiuar problemin dhe sjellë dëshmi. Ai e quajti ngjarjen gjenocid shumë kohë para se këtë gjë ta bënte qeveria. Në Sarajevë vazhdimisht dëgjonim diplomatët evropianë, duke mbajtur fjalime për viktimat mizore të rrethimit: “Mos mendoni se kalorësia do të vijë nga mali për t’ ju shpëtuar”. Por ata e kishin gabim. Kalorësia u shfaq në personalitetin e Richard Holbrookes.
Ndërkohë që Sarajeva dhe të gjithë ne ishim zhytur në zhgënjimin dhe rraskapitjen më të madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës më në fund u mblodhën dhe e ndihmuan Richard Holbrooken, të caktuar nga presidenti Clinton. Për tre vjet Milosheviq dhe njerëzit e tij bënë blof me botën, por mandej Holbrooke erdhi dhe bëri blof me ata.
I armatosur me një sasi të madhe të vendosmërisë amerikane – nuk ekziston asnjë shembull më i mirë, apo më i trishtë, i hyrjes amerikane “më mirë vonë se kurrë” në konfliktin boshnjak – ai filloi t’i kryejë punët si duhet. Do të duhej më shumë se një vit më tepër – dhe më shumë se 8.000 të vdekur, burra dhe djelmosha myslimanë të ekzekutuar në një qytet të vogël të Bosnjës, të quajtur Srebrenicë. Pak pas masakrës, SHBA-ja dhe aleatët e saj nisën një fushatë të shkurtër bombardimesh në caqet ushtarake serbe në Bosnje. Milosheviq dhe banditët e tij shumë shpejt u gjunjëzuan. Holbrookut mandej iu dha si detyrë nga presidenti Clinton që ta negociojë fundin e luftës. Në Dayton, Ohio, ai e arriti mu këtë. Reputacioni i tij si buldozer me bërryla të mprehtë dhe me një dhunti për të përplasur koka shërbeu si shkas për paqe. Ajo qëndroi deri në këtë ditë. Richard vdiq një ditë para përvjetorit të pesëmbëdhjetë të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Daytonit.
Dy vjet më parë u ktheva bashkë me Holbrooken në Bosnje.
Në Sarajevë, ecëm përgjatë urës ku një serb i Bosnjës, i quajtur Gavrilo Princip, vrau peshkopin Franz Ferdinand dhe e filloi një masakër. Sarajevasit e thjeshtë e nxituan në drejtim të tij. Ata nuk kishin harruar se çfarë kishte bërë ai dhe dëshironin t’i shtrëngonin dorën. Gra dhe burra kishin lot në sytë e tyre ndërsa falënderonin amerikanin për shpëtimin, për rikthimin e nderit dhe njerëzimit në shtetin e tyre, dhe në botën tonë.
Ata e falënderuan Amerikën, duke iu falënderuar Richard Holbrookes.
*Christiane Amanpour është autore e emisionit “This Week” në “ABC News” dhe ish-shefe e ekipit të korrespondentëve ndërkombëtarë të CNN-it.