English

Rama drekë Krishtlindjesh për të varfrit: Siç dielli doli uroj që të ndriçojë jeta juaj në të ardhmen

Tiranë, 25 dhjetor, NOA – Për të vënë në jetë mesazhin e dashurisë për njerëzit, mesazh që në shekuj u ngulit për të gjithë besimtarët e krishterë me lindjen e Jezu Krishtit në Betlehem, Shpëtimtarit të njerëzimit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një drekë krishtlindjesh edhe për 200 qytetarë në nevojë, duke bërë që tavolinën që nuk mund ta shtronin dot vetë, ta gjenin gati në qendër të kryeqytetit nën çadrën e ngritur enkas si për çdo festë nga bashkia. Me urimin për më shumë shpresë për jetën në të ardhmen, lumturi, harmoni e begati, Bashkia e Tiranës në këtë ditë të veçantë ka dhuruar për këta njerëz në nevojë mbështetjen dhe solidaritetin duke u ofruar dhe ndarë me ta, një moment të veçantë njerëzor në këtë fundvit.

Të mbledhur në lulishten e Partizanit të Panjohur, të 200 të ftuarit patën mundësi të festojnë në krah të kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit Edi Rama, dhe zonjës së tij, Linda, i cili duke u uruar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, vuri theksin tek puna dhe përpjekjet e Bashkisë së Tiranës për t’u qëndruar pranë njerëzve që gjenden në nevojë dhe vështirësi në mënyrë që t’ua lehtësojë sadopak jetën.

Me urimin dhe shpresën që e nesërmja do të jetë më e mirë dhe se forca e dashurisë dhe mirësisë që inspiron kjo festë, do të triumfojë mbi çdo plagë e sakrificë njerëzore, kryebashkiaku Rama theksoi gjatë fjalës së tij se kjo traditë dëshmon përkushtimin e bashkisë ndaj atyre që jetojnë në vështirësi ekonomike.

“Ne duam t’u themi se u jemi pranë, se jemi të vetëdijshëm për gjendjen e tyre dhe se kjo vetëdije na shtyn që me pasion e vullnet, të bëjmë çdo ditë përpjekjet tona për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën e tyre, duke lehtësuar sadopak dhimbjet, vuajtjet, hallet e problemet e panumërta që ju dhe ata si ju kanë. Ne do të donim që çdo Krishtlindje t’i gjente njerëzit më mirë, por fatkeqësisht këto Krishtlindje i gjejnë njerëzit e zakonshëm në vështirësi më të mëdha dhe e gjejnë Shqipërinë më të varfër se një vit më parë. Nga ana tjetër, pikërisht në këtë ditë, pikërisht me frymëzimin e kësaj dite, është legjitime të shpresojmë dhe të besojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe se jo vetëm mund, por do të bëhet edhe më e mirë, falë forcës së dashurisë dhe solidaritetit mes njerëzve. Është festa që kremton imponimin e dashurisë mbi çdo vështirësi dhe triumfin e dashurisë mbi çdo plagë e çdo sakrificë”, tha Rama.

Duke i uruar të gjithëve Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, Rama uroi që sikundër Dielli del pas shiut ashtu të ndriçojë edhe rruga e vështirë e secilës prej familjeve shqiptare në nevojë.

Rama i siguroi të ftuarit se bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka mundet që jeta e fëmijëve të këtyre njerëzve në nevojë të jetë shumë më e mirë se ajo e prindërve.

mit/NOA
KOMENTE