English

Rama: Krishtlindjet na gjejnë në vështirësi, do gjejmë forcë për t’i kaluar

Tiranë, 25 dhjetor, NOA – Ndërkohë që nga mesnata dhe në agim besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë kanë kremtuar Krishtlindjet, ditën që sikundër rilindja e Krishtit vjen në botë për shpëtimin e njerëzve, dhe i bën njerëzit t’i shkojnë më afër paqes e dashurisë për njëri-tjetrin besimtarët e krishterë janë uruar sot në mesditë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. “Krishtlindjet sjellin mesazhin e forcës dhe dashurisë”, u shpreh kryesocialisti Rama, pasi vizitoi si çdo vit për Krishtlindje, Kishën e Ngjalljes së Krishtit në kryeqytet e u takua me Hirësinë e tij, Anastas Janullatos.

Në prononcimin e përhershëm për festat, kryepolitikani i opozitës nuk e ka ndarë Krishtlindjen nga ditët e vështira që po përjeton Shqipëria në këtë moment, ku mbi të gjitha ai i vuri theksin fatkeqësisë natyrore që pllakosi në Shkodër, duke bërë të vuajnë prej përmbytjeve katastrofike të tokave dhe shtëpive mijëra banorë të Shodrës dhe komunave pranë saj.

“E sot kur pjesë të tëra të Shqipërisë janë në vështirësi, si pasojë e përmbytjeve, ajo që do të na bëjë të dalim nga kjo gjendje e vështirë, tha Rama është dashuria dhe forca e ndjenjave”.

E në këtë kontekst kryetari i opozitës, Edi Rama ka risjellë në vëmendje në këtë ditë të shenjtë se “Janë këto ndjenja të forta paqeje e dashurie që duhet të na bëjnë të besojmë se e ardhmja do të jetë më e mirë e madje në një ditë më të afërt”, nënvizoi në prononcimin për mediat kryesocialisti Rama, duke vërejtur se shqiptarët do të gjejnë forcë për t’i kaluar këto vështirësi.

Më herët sot në agim, Hirësia e Tij, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos mbajti për mijëra besimtarë ortodoksë në kryeqytet meshën tradicionale të lindjes së Krishtit, ku ai i uroi besimtarët që të japin sa më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe të jenë të paqtë e të respektojnë tjetrin të ndryshëm nga vetja.

Ndaj të gdhirë të mëngjesit të sotëm, besimtarët ortodoksë ndoqën meshën e mbajtur nga kryepeshkopi Janullatos në Kishën Autoqefale duke ndezur qirinj e duke u lutur për paqe, gëzim dhe dashuri.

Ndërsa besimtarët katolikë në kryeqytet kanë kremtuar lindjen e Jezus Krishtit në mesnatë në katedralen e Shën Palit, ku liturgjitë e shenjta të Biblës janë kënduar nga Imzot Rrok Mirdita, i cili gjatë lutjeve të tij u shpreh se në botë mungon paqja dhe është pikërisht Krishtlindja që në kujton sa e rëndësishme është falja, paqja dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit, predikoi Imzot Rrok Mirdita përballë mijëra besimtarëve katolikë që kishin mbushur katedralen e Shën Palit mbrëmë në mesnatë.

mit/NOA
KOMENTE