Kur një diplomat i rëndësishëm thotë se listat e deputetëve duhen pastruar nga personat nën hetim sepse kjo e dëmton imazhin e Kosovës dhe kjo nuk ndodh; kur individë të dyshuar ose të përfolur për krime apo trafiqe janë përsëri aktivë dhe pretendojnë poste kyçe në drejtimin e vendit; kur vota e qytetarëve abuzohet e manipulohet, atëherë janë krijuar të gjitha rrethanat e favorshme që edhe raporte spekulative si ai i Dick Martyt të merren në konsideratë nga media serioze
Nga Armand Shkullaku
Raporti i Dick Martyt i dha edhe një tjetër mundësi të mirë patriotizmit shqiptar për t’u shpalosur me gjithë ngjyrat e tij. Reagimet emocionale, me tone patetike, pasthirrma e parathirrma mbushën gazetat dhe televizionet. Nuk mbeti njeri pa reaguar: politikanë, veteranë, intelektualë, klerikë, akademikë, gazetarë, punëtorë e fshatarë. I gjithë ky reagim, po ta përmbledhim me pak fjalë, konsistonte në demaskimin e Dick Martyt si antishqiptar, i shitur tek Beogradi, racist, manipulator, etj dhe në himnizimin e luftës së UÇK-së dhe liderëve të saj, si diçka e shenjtë të cilën nuk mund ta prekë askush. Që një raport i tillë, si ai i hartuar nga zvicerani, mund të provokojë emocione, të prekë ndjenjën kombëtare e të shkaktojë urrejtje apo zemërim, është e kuptueshme. Por që të mbizotërojnë vetëm këto ndjenja dhe asnjë reflektim apo veprim i ftohtë e i arsyeshëm, kjo është e pazakontë.
Mënyra se si ne kemi vepruar në të shkuarën dhe si reaguam ndaj raportit në fjalë, nuk është forma më e mirë se di duhet të sillet një shtet. Një shtet ka institucione dhe duhet që në momente kritike t’u referohet atyre dhe jo gjuhës së emocioneve dhe fjalimeve patetike. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, vetë prokuroria mund të kishte nisur hetimet pas akuzave të rënda të Carla del Pontes, të kishte ftuar të merrnin pjesë në hetim edhe hetues nga Serbia, ekspertë ndërkombëtarë dhe juristë të paanshëm dhe në fund të kishim të bënim me një çështje të trajtuar juridikisht dhe jo me spekullime të pa faktuara, me të cilat po përballemi sot.
Nga ana tjetër, vetë autoritetet në Kosovë, në vitet e fundit, mund të kishin nisur hetime e të kishin çuar para drejtësisë persona që gjatë luftës apo pas saj, dyshohet se kanë kryer krime. Po kështu, nëse Beogradi pretendon se afro 500 serbë figurojnë të zhdukur në Kosovë, pala shqiptare duhet të ofronte çdo lehtësi dhe bashkëpunim për të treguar gatishmërinë e saj në zbardhjen e të gjitha të vërtetave dhe krimeve, pavarësisht se prej kujt janë kryer. Dhe në fund, edhe ndaj raportit të Dick Martyt, duhej vepruar institucionalisht nëpërmjet një padie profesionale dhe reagimi shtetëror serioz. Nëse do të ishin ndjekur hapa të tillë, sot do të kishim një dosje të bazuar në hetime dhe fakte për të gjitha akuzat e ngritura, një raport të besueshëm mbi fatin e serbëve të zhdukur dhe Dick Martyn duke kërkuar një avokat të mirë.
Këto nuk i kemi. Në vend të tyre po shohim një paradë patriotizmi që nuk vlen si argument për të bindur botën se raporti i Martyt është i ndërtuar mbi shpifje. Duke thënë se ai punon për Beogradin, se është i çmëndur, etj, apo se lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë, mund të preken emocione të brendshme po nuk mund të binden reporterët e huaj që po flasin për Kosovën gati çdo ditë në mediat botërore. Imazhi i shtetit më të ri gjendet i kryqëzuar dhe nuk mund të shpëtohet me fjalime dhe thirrje patriotike nga Prishtina e Tirana, por me fakte dhe prova të qarta që rrëzojnë akuzat dhe dëshmojnë vullnetin e lidershipit kosovar për t’u distancuar nga krimi.
Rasti Dick Marty nxorri në pah edhe një tjetër problem që kemi. Asnjë reagim ndaj raportit nuk niste me fjalën ne, por me ai. Në të gjitha deklaratat kishte vetëm sulme ndaj zviceranit, ai dhe vetëm ai ishte fajtor për këtë kryqëzatë ndaj imazhit të Kosovës. Do të kishte qenë normale dhe më e pranueshme nga opinioni botëror nëse liderët shqiptarë do të pranonin se krime mund të kenë ndodhur dhe se ata janë të angazhuar seriozisht për zbardhjen e tyre. Se raporti është i ekzagjeruar dhe përmban plot të pavërteta, por autoritetet e drejtësisë do ta analizojnë atë.
Sulmi i vazhdueshëm (në këtë rast ndaj një personi të vetëm) nuk është gjithnjë mbrojtja më e mirë. Pala shqiptare duhet të marrë edhe disa përgjegjësi mbi vete dhe sigurisht pastaj të hedhë poshtë e të kërkojë llogari për shpifjet e të pavërtetat që thuhen për të. Por edhe në këtë drejtim është bërë fare pak, për të mos thënë që është krijuar një terren i favorshëm që akuza të tilla të zënë farë e të mbijnë në mediat botërore. Ato u shfaqën menjëherë, por jo në mënyrë të papritur, sepse prej kohësh Kosova ka treguar mungesë vullneti për të luftuar krimin e korrupsionin, për të ndërtuar një drejtësi të pavarur dhe së fundi për të bërë zgjedhje të lira e demokratike. Duket sikur këto nuk kanë lidhje me akuzat që bëhen për një kohë tjetër, nuk kanë lidhje me trafikun e organeve, të drogës apo të armëve...
Në fakt kanë shumë lidhje. Nëse gjatë viteve të fundit në Kosovë do të kishim patur progres në luftën kundër korrupsionit, nëse politikanë të dyshuar për krime do të ishin dënuar, nëse do të kishim patur një qeveri me duar të pastra dhë së fundi një proces zgjedhor model, raporti i Dick Martyt mund të ishte shkruar por nuk do të kishte patur kurrë jehonën që gjeti në mediat botërore.
Kur një diplomat i rëndësishëm thotë se listat e deputetëve duhen pastruar nga personat nën hetim sepse kjo e dëmton imazhin e Kosovës dhe kjo nuk ndodh; kur individë të dyshuar ose të përfolur për krime apo trafiqe janë përsëri aktivë dhe pretendojnë poste kyçe në drejtimin e vendit; kur vota e qytetarëve abuzohet e manipulohet, atëherë janë krijuar të gjitha rrethanat e favorshme që edhe raporte spekulative si ai i Dick Martyt të merren në konsideratë nga media serioze.
Nuk ka orkestrime apo skenarë për ta armiqësuar Kosovën me botën, por proceset negative mbarsen aq shumë sa shpërthejnë atëherë kur nuk e pret dhe në momentin më të vështirë. Nëse do të kishim një Kosovë që ecën drejt progresit, që vlerësohet pozitivisht në raportet e BE, me institucione të besueshme dhe procese politike demokratike, akuzat e Martyt do të binin në vesh të shurdhët.
Tony Blair pati thënë në Prishtinë se armiku i Kosovës mund të jetë vetë Kosova. Ngjarjet e fundit, e sidomos procesi zgjedhor, po e dëshmojnë këtë. Angazhimi serioz dhe vullneti politik për ta ndryshuar gjendjen aktuale janë e vetmja mundësi për të mbrojtur dhe lartësuar imazhin e Kosovës. Fjalimet patriotike dhe reagimet emocionale janë për konsum të brendshëm dhe prej kohësh të dala mode.