Prishtinë, 25 dhjetor, NOA – Qendra “Benaf” që ndodhet në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë është përfshirë sot në mëngjes nga flakët të mëdha zjarri të shkaktuara nga shpërthimi i një bombole gazi. Ngjarja ndodhi në orën 09.30 të mëngjesit të sotëm dhe Policia e Kosovës pas njoftimit ka mbërritur në vendngjarje, ndërkohë që në vendin e shpërthimit kanë mbërritur edhe zjarrfikës që kanë filluar fikjen e zjarrit.
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike në atë pjese të qytetit policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore duke larguar të gjithë njerëzit nga ajo zonë dhe makinat e parkuara në afërsi të objektit që digjej.
Kjo polici ka ndaluar qarkullimin në rrugën “Agim Ramadani’’ nga Menza e studentëve, deri te Parlamenti për shkaqe sigurie dhe për të bërë të mundur punën e ekipeve në vendngjarje.
Sipas informatave fillestare dyshohet se zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi në brendësi të objektit, por policia po vijon ndërkohë hetimin për sqarimin e ngjarjes.
Por, sipas vlerësimeve paraprake dëmet e shkaktuara nga shpërthimi llogaritet të jenë të mëdha.
Policia po heton ngjarjen për të nxjerrë të gjitha hollësitë e për të plotësuar raportin e ekspertëve lidhur me ngjarjen.
mit/NOA