Suharekë, 26 Dhjetor 2010 Update - Gjatë kohës së luftës në Kosovë janë ekzekutuar 49 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka, trupat e të cilëve ende nuk dihet se ku janë. Pas përfundimit të luftës familjarët e viktimave kanë kërkuar vazhdimisht trupat e familjarëve të vrarë.
Në vitin 2003 në kuadër të UNMIK-ut ishte hapur një zyrë për të zhdukurit dhe kryesuar i saj ishte Jose Pabllo Baraybar. Ky i fundit akuzohet nga familjarët e viktimave që pas ekspertizave ka marrë pa leje të familjarëve 400 mostra klavikulash, raporton TCH duke iu referuar korrespondentit te saj.
Hysni Berisha njeriu që me dëshmitë e tij doli përballë diktatorit Sllobodan Millosheviç në Gjykatën e Hagës, tani ka një mision tjetër të papërfunduar.
Ai kërkon të përballet para drejtësisë me ish-kryesuesin e zyrës për të zhdukur në kuadër të UNMIK-ut Jose Pablo Baraybar, emri i të cilit po përflitet shumë këto ditë, në lidhje me hetimet e bëra në territorin e Shqipërisë mbi dyshimet për trafikim organesh.
Në Kosovë, ndaj Jose Pablo Baraybar nga viti 2006 është ngritur një aktakuzë dhe ai po ndiqet penalisht. Aktakuza është ngritur nga familjet e viktimave të luftës, të cilat e akuzojnë Barajbarin se pa lejen e tyre u ka marrë, duke i vjedhur kësisoj, më shumë se 400 klavikula me pretendimin e ekspertizës mjeko-ligjore.
“Baraybar ka bërë krime ndaj eshtrave të të dashurve tonë. Ne jo që kemi qenë të fyer dhe ofenduar pasi të marrësh eshtrat pa e pyetur familjarin këtë e bëjnë njerëz që nuk kanë ndjenja njerëzore. Kjo ka bërë që ne të shkojmë deri në padi penale ndaj Baraybarit”, është shprehur Hysni Berisha.
Sipas tij, “koleksionisti forensik skeletor Baraybar” ka prekur thellë në plagët e pashëruara veçmas të kësaj familje që edhe pas 11 vitesh nuk iu janë kthyer eshtrat e 49 anëtarëve të familjes.
“Na kanë informuar si familjarë se Baraybar krahas eshtrave që merrte për hulumtimin e ADN-së i ka përdorur ato edhe për studime shkencore. Ne kemi kërkuar të dimë se ç’po ndodh me ato eshtra, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, shprehet Berisha.
Ai posedon dokumente dhe materiale të shumta nga institucionet kosovare madje edhe ato boshnjake, duke përfshirë edhe të Tribunalit të Hagës që tregojnë se përveç eshtrave të kosovarëve, Baraybar për qëllime të tij personale dhe për punime shkencore në të njëjtën mënyrë ka keqpërdorur edhe eshtrat e boshnjakeve në Bosnje.
“Kemi informuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perusë, nga vjen dhe Baraybar, dhe kemi kërkuar që të merren me këtë çështje. Serbia na ofron për trafikim organesh, ndërkohë që ne edhe sot nuk kemi kufomat tona. Ndaj familjes Berisha nuk është bërë krim, por gjenocid”, thotë Berisha.
Sipas kallëzimit penal Baraybar akuzohet të ketë vjedhur mostra të brinjëve, klavikulave dhe dhëmbë të mbi 800 viktimave të zhvarrosura në Bosnje dhe Kosovë.
Më pas me leje të Gjykatës së Hagës në periudhën kohore tetor-dhjetor 2003 ka marrë detyrën e tij në Kosovë në cilësinë e kryesuesit të zyrës për të zhdukurit në kuadër të UNMIK-ut.
Megjithatë, ai është larguar nga Kosova dhe asnjëherë nuk i është përgjigjur gjykatës. Ndërkohë në pritje të eshtrave të grabitura, në varrezat qytezës së Suharekës 49 varret e hapura për viktimat e luftës mbeten bosh.