English

Bashkia e Tiranës, u dhuron atmosferë festive 300 fëmijëve në nevojë

Tiranë, 26 dhjetor, NOA – Ashtu siç është traditë në festat e fundvitit, Bashkia e Tiranës u ka dhuruar një atmosferë festive 300 fëmijëve në nevojë, të cilët marrin shërbime në qendrat ditore publike dhe jopublike të qytetit.

Aktiviteti u organizua në ambientet e hotel “Tirana International”, në formën e një shfaqe artistike dhe në bashkëpunim me “Save the Children”, Qendrën Ditore për fëmijët që jetojnë dhe punojnë në rrugë, Fëmijët e Botës – Shqipëri (FBSH) dhe Shoqatën “ARSIS”.

“Jam shumë i kënaqur që u takuam prapë. Me disa nga ju, jemi takuar edhe më parë, jemi takuar edhe në aktivitetet që Bashkia ka organizuar për t’iu ndihmuar, argëtuar, për t’iu lehtësuar dhe unë jam shumë i kënaqur që plot nga ju, falë miqësisë me Bashkinë dhe falë dashurisë sonë reciproke, kanë mundur të shkojnë në shkollë, kanë mundur të mësojnë, kanë mundur që të kenë një jetë shumë më të mirë se sa jeta e rrugës, nga ku ne dëshirojmë që t’i heqim të gjithë fëmijët, të gjithë ata që për një mijë e një arsye janë të detyruar, jo për dëshirë, por shpesh herë të shtyrë edhe nga të tjerët që gjenden në rrugë.

Unë uroj shumë që Viti i Ri të jetë më i mirë për ju, të jetë më i mirë për të gjithë fëmijët e Tiranës, por në radhë të parë, për ata fëmijë që kanë më shumë nevojë se të tjerët dhe ne jemi këtu për ju dhe për të gjithë ata, ne jemi të gatshëm të bëhemi miq me shumë e shumë e më shumë fëmijë e të gatshëm që t’u shtrijmë dorën e miqësisë dhe dashurisë të gjithë atyre që duan të shkojnë përpara, të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë, të gjithë atyre që duan të argëtohen më shumë. Unë uroj që ëndërrat tuaja të bëhen të mundura dhe uroj që në shtëpinë tuaj të keni më shumë gëzim dhe më pak mundime.

Ju uroj Gëzuar, gëzuar të gjithë fëmijëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë!”. u shpreh kryebashkiaku Rama mes haresë dhe atmosferës festive të krijuar nga fëmijët e pranishëm.

Më pas, si shprehje e politikave të përkujdesit cilësor për fëmijët në nevojë, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me “Save the Children” dhe aktorët e tjerë, ka shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në festë dhe në nevojë të qytetit të Tiranës.

Fëmijët që frekuentojnë këto qendra sociale, vijnë nga familje me probleme sociale që kryesisht lidhen me: edukimin, shëndetin, shfrytëzimin e fëmijëve, kushtet e vështira të jetesës në familje etj. Shpesh këta fëmijë janë të privuar nga plotësimi adekuat i nevojave të përditshme, për shkaqe të ndryshme dhe pavarësisht përpjekjeve të përditshme të punonjësve të qendrave dhe familjarëve të tyre, dhuratat dhe lodrat që stimulojnë fantazinë e tyre mbeten vetëm një dëshirë.

Aktiviteti i organizuar në formën e një shfaqjeje artistike, mundësoi krijimin e një atmosfere festive, kreative e plot imagjinatë mes fëmijëve. Përgjatë shfaqjes u performuan numra artistike nga animatorë e kllouna profesionistë, nga vetë fëmijët, të cilët përshëndetën njëri - tjetrin me pjesë të ndryshme artistike, si dhe vizatimet facepainting, lojërat interaktive, kërcime, konkurse ku u përfshinë të gjithë pjesëmarrësit.

n.e/NOA

KOMENTE