English

BDSH: Ndal regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit

Shkup, 26 Dhjetor 2010 NOA - Sulmi policor i paradokohshëm ndaj A1 ishte paralajmërim se regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit tenton të ngulfat çdo mendim që del jashtë kontrollit diktatorial të tij, vlerëson Bashkimit Demokratik Shqiptar.

Kryetari i kësaj force politike, Bardhyl Mahmuti tha sot për agjencinë NOA se arrestimi i Velija Ramkovski, pa marrë parasysh se me cilin argument po mundohen të justifikohet nga ky regjim nuk duhet të shihen të shkëputura nga të gjitha veprimet e dhunshme tanimë të njohura për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar që ushtrohen me qëllim të vendosjes së uniformizmit politik të VMRO-së.

Sipas Mahmutit, montimi i proceseve gjyqësore dhe shantazhet e formave të ndryshme synojnë ngulfatjen e mendimit ndryshe.

Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon politikën diktatoriale të VMRO-së dhe të partive politike shqiptare që kanë qenë dhe që janë argat dhe ndërmjetësues të përforcimit të pozitave antidemokratike të regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar e sheh si domosdoshmëri të kohës reagimin e forcave demokratike dhe të institucioneve ndërkombëtare që kësaj logjike diktatoriale t’i thuhet STOP!

Duke përfunduar, z.Mahmuti veçon se Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel forcave demokratike dhe institucioneve ndërkombëtare që unanimisht të kërkojnë amnistinë e përgjithshme dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar tmerret e kësaj “politike gjyqësore”.

z.r/NOA

KOMENTE