Kairo, 26 dhjetor, NOA – Një autobus që kishte në bordin e tij vetëm turistë amerikanë është përplasur me një kamion pranë provincës Assuan në jug të Egjiptit duke shkaktuar vdekjen e tetë turistëve, mes tyre gjashtë gra dhe duke lënë plagosur 21 të tjerë. Agjencia kombëtare egjiptiane Mena bëri të ditur lajmin duke informuar se në autobus udhëtonin plot 37 turistë amerikanë.
Sipas agjencisë autobusi me turistë gjendej 22 kilometra larg provincës Assuan dhe ishte drejtuar drejt tempujve të Abu Simbel, kur u përplas me një kamion të ngarkuar me rërë, i cili ishte parkuar buzë rrugës.
Autobusi i përplasur ku vdiqën tetë turistë amerikanë ishte pjesë e një karvani prej tre autobusësh, por në bordin e dy të tjerëve nuk pati asnjë turist të plagosur, bëri të ditur agjencia egjiptiane Mena.
mit/NOA