Tiranë, 26 Dhjetor 2010 - Natën e Krishtlindjeve, Tv Klan dhe Promotor dhuruan një mbrëmje speciale në superspektaklin “Këngët e shekullit”. Mbrëmja u çel nga tingujt e klarinetës së Hekuran Xhambalit, shoqëruar nga formacioni muzikor.
I ftuari i nderit në natën e 11-të të maratonës së këngës popullore qytetare ishte këngëtari, Qemal Kërtusha. Ai numëron 64 vitesh në skenë, dhe solli një kolazh me këngët tradicionale të qytetit të Durrësit.
Spektakli “Këngët e shekullit” u kthye pas në kohë, në një homazh për Palon Shkurtin, themeluesin e bandës së parë shqiptare parë shqiptar në vitin 1878. Kompozimet e tij të hershme erdhën nën intepretimin e Rosela Gjylbegut.
Këngëtarët pjesëmarrës interpretuan jo vetëm perlat e muzikës popullore qytetare të zonës së tyre, por të mbarë Shqipërisë. Një pjesë e traditës ishin edhe këngët arvanitase, që u sollën nga Maja.
Merita Halili e Bujar Qamili ndezën teatrin e Tv Klan me një repertor nga Shqipëria e mesme.
Një moment i veçantë ishte ai kur Irini Qirjako risolli një version të ri të këngës së mirënjohur përmetare “Me pahir e more djalin”.
Atmosfera e spektaklit në këtë natë feste kulmoi në minutat e fundit të spektaklit, kur grupi i Beratit, së bashku me këngëtarët më të njohur të këtij qyteti, interpretuan një kolazh me këngët më të njohura të këtij qyteti.
e.r/NOA