Tiranë, 26 dhjetor, NOA – Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht sot përmes një deklarate për shtyp kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste si dhe kryetares së Kuvendit, që institucioni ligjvënës më i lartë i vendit, të shqyrtojë gjendjen e vështirë të cilësisë së furnizimit me energji elektrike të bizneseve dhe qytetarëve.
Sikundër, t’i kërkojë kompanisë CEZ Shpërndarje edhe të mbështesë Entin Rregullator të Energjisë, si institucion në varësi të Kuvendit, në përmirësimin e domosdoshëm dhe sa më të shpejtë të kontratave të furnizimit me energji elektrike.
“Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërhyjë menjëherë dhe pa dallim ngjyrash partiake në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sepse ekonomia kombëtare po ndjen gjithnjë e më shumë pasojat e dëmshme të ardhura nga furnizimi me cilësi tepër të dobët të energjisë elektrike të ‘CEZ Shpërndarje’ për industritë, bizneset dhe qytetarët”, thuhet në këtë deklaratë.
Më tej, Konfindustria sqaron se furnizimi me energji elektrike është krejtësisht jashtë standardeve të cilësisë jo vetëm të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe të rajonit duke ndikuar ndjeshëm në kostot e prodhimit dhe shërbimeve, uljen e konkurrencës të industrive shqiptare, pengimin e investimeve të huaja dhe të vendit, pasoja tepër të dëmshme, sidomos në kushtet e vazhdimit të pasojave e krizë s globale në ekonominë shqiptare.
“Sa më sipër është goditje e drejtpërdrejtë e mirëqenies së gjithë qytetarë ve shqiptare. Konfindustria ka llogaritur, që vetëm në 8 sektorë industrialë në hapësirën kohore të vetëm 10 mujorit të vitit 2010, dëmi financiar nga cilësia e furnizimit me energji elektrike nga CEZ Shpërndarje është mbi 23 milion euro. Në shkallë kombëtare dëmi ekonomik është disa herë më i lartë”, shton deklarata.
Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë sa më shpejt për të nxitur dhe një kohësisht mbështetur ERE-së për përmirësimin e Kontratave së Furnizimit me Energji Elektrike të “CEZ Shpërndarje”, sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Duke përfunduar se proceset gjyqësore të bizneseve dhe qytetareve ndaj furnizuesit “CEZ Shpërndarje” për dëmshpërblim mbi dëmet mjaft të mëdha dhe të vazhdueshme të shkaktuara janë tepër të vogla.
Shkak për dukurinë e mësipërme sipas bizneseve janë termat ligjore të kontratës së furnizimit të energjisë elektrike, që gjykohet, se janë krejtësisht të njëanshme në favor të kompanisë furnizuese, që shkakton tërheqje të bizneseve dhe qytetarëve të kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme në gjykatë.
n.e/NOA