E diel, 26 dhjetor, NOA-Halil Kurtishi, Këshilltari komunal i Kumanovës nga radhët e PDSH-së, ka dorëzuar të enjten dorëheqjen e tij nga detyra e anëtarit të Komisionit për Urbanizëm dhe Komisionit për Çështje Komunale pranë Këshillit Komunal të Kumanovës.
Kurtishi tha për mediat se, qëllimi dhe shkaku i kësaj dorëheqjeje ka të bëjë kryesisht me tendencën e Kreut të Komunës së Kumanovës për të manipuluar me këto dy Komisione dhe vendimet e dala nga po i njëjti, duke krijuar në këtë mënyrë parakushte për vazhdimësinë e politikës së tij skajshmërisht të dëmshme kur janë në pyetje interes e popullatës shqiptare të Komunës së Kumanovës.
“Paralajmërimet e vazhdueshme të bëra nga Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Shqiptare për një politikbërje të tillë diskriminuese, duke praktikuar investime dhe zhvillim vetëm të pjesës lindore të qytetit të Kumanovës, të banuar kryesisht me maqedonas dhe anashkalimi apo lënia në mjerim e pjesës perëndimore të banuar me shqiptar, mosinvestimi në ndërtimin e objekteve shkollore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, apo thënë ndryshe lënia në kushte mesjetare të vendbanimeve shqiptare me rrugë e rrugica të baltosura e të errësuara, kanë qenë brengë për të cilën më shumë herë kemi reaguar duke kërkuar ndryshimin e kësaj gjendjeje”, deklaroi Kurtishi.
Ai tha se element diskriminues i pushtetit aktual lokal pa dyshim se është edhe mos implementimi i plotë i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe si në brendinë e objektit komunal gjithashtu edhe në udhërrëfyesit nëpër vetë qytet si dhe refuzimi i përhershëm i krijimit të një ambienti real shumetnik në komunë.
Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë: “Duke mos dashur që të jem pjesë e kësaj ndarjeje që detyrimisht dëmton interesat e banorëve shqiptar të Komunës së Kumanovës, me qëllim që të dëgjohet edhe zëri i elektoratit shqiptar, si hap i radhës është dorëheqja në fjalë duke paralajmëruar edhe një here se kjo politikë diskriminuese gjithnjë e më shumë po çon qytetarët shqiptar drejt kërkesës për të krijuar një Komunë të re brenda Kumanovës”.
(INA)/NOA