Tiranë, 26 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Ndërkohë që kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës mban peng politikën e vendit prej plot 18 muajsh nga kontestimi i zgjedhjeve të 28 qershorit nga opozita, është disi e pabesueshme që palët të bien dakort brenda një takimi të nesërm, ku opozita dhe mazhoranca do të rreken të lidhin një marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve me ngritjen e një komisioni hetimor. Kjo transparencë e kërkuar me forcë nga opozita përgjatë gjithë këtyre muajve, duke iu referuar edhe rezolutës së PE-së pritet të marrë udhë vetëm në rast se palët bien dakort për dy nga pikat e projektvendimit të PS-së, ku bëhet fjalë për formulën e kompozimit të komisionit hetimor dhe rrugën që duhet të ndjekë komisioni hetimor për shqyrtimin e dokumentacionit zgjedhor.
Pas seancës së të enjtes kur nuk u arrit një kompromis për ngritjen e komisionit hetimor, nesër para seancës plenare që po mbahet enkas për këtë çështje do të ulen në tryezë për një marrëveshje deputetët Fatmir Xhafaj dhe deputeti Damian Gjiknuri nga opozita dhe kreu i komisionit të ligjeve të PD-së, Ilir Rusmali dhe deputeti Viktor Gumi, nga mazhoranca.
Partia demokratike në takimet e ditëve të fundit nuk është dorëzuar sa i përket pikës ku opozita kërkon që kutitë e materialeve zgjedhore t’i vihen në dispozicion komisionit hetimor parlamentar dhe të mos dërgohen në arkiv, çiç parashikohet në Kod, duke bërë që demokratët të mos bien dakort me këtë pikë, pasi sipas tyre hetimi i materialeve zgjedhore duhet të bëhet në bazë të ligjit për zgjedhjet, dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Tashmë objekti i hetimit të zgjedhjeve do të bëhet bazuar mbi hetimin e dyshimeve të mbështetura mbi fakte dhe grup faktesh.
Dita e hënë ndërkaq mbetet afati i fundit që mazhoranca dhe opozita të zgjidhin ngërçin politik, si dhe të vendosin nëse opozita do të ketë shumicën dhe drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara, një kërkesë edhe kjo e cilësuar si e në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet dhe drejtimin e komisioneve parlamentare, edhe pse më herët vetë kryeministri Sali Berisha e kishte garantuar opozitën se ishte dakort ta favorizonte opozitën në këto dy kërkesa.
mit/NOA