Koha në të cilën shqiptarët nën udhëheqjen e heronjve tanë kombëtar Idriz Seferi, Mic Sokoli, Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe sa e sa të tjerë, që atëbotë luftuan, jo vetëm për çlirimin nga Turqia por edhe mbrojtjen e trojeve tona para sulmeve sllavo greke që u ndërmorën nga Serbia, Bullgaria, Mali i zi, Greqia e kush jo tjetër, për pushtimin e trojeve tona, kishte ndikim të madh edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare, organizimet politike dhe luftën mbrojtëse të shqiptarëve në ato kohë të rënda dhe me shumë rreziqe për trojet shqiptare dhe kombin tonë në ngritje.
Nga Gani Qarri*
Kjo ngjarje e madhe e historisë sonë kombëtare, të paktën me rastin historik të shënimit të 100-vjetorit të saj, gjithsesi se do duhej përkujtuar, me kujdesin e merituar dhe në mënyrë madhështore gjithëkombëtare nga institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Por, kjo për fat të keq nuk ndodhi, edhe pse do duhej në raste të tilla të ndodhte, ashtu siç do dëshironte edhe populli shqiptar, që në mënyrë solemne ta shënonte përkujtimin e 100 vjetorit të kësaj kryengritje me rëndësi historike dhe kombëtare.
Një përkujtim i vetëm u mbajt në Prishtinë, por jo i organizuar nga institucionet shtetërore, gjë që do duhej ta trazonte sadopak vetëdijen tonë kombëtare, sepse me 17 dhjetor të këtij viti u mbajt një akademi e vetme solemne, dhe ajo nën përkujdesjen e Fondacionit “Idriz Seferi” të udhëhequr nga Sabri Kadriu, e cila u organizua në përkujtim të 100-vjetorit të kësaj kryengritje të popullit shqiptar.
Përkujtim tjetër kushtuar kësaj lufte me rëndësi historike e kombëtare, përmes çfarëdo organizimi qoftë ai, në Shqipëri a Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, nuk dëgjuam të jetë mbajtur. Në një vend tjetër, i cili vlerëson historinë e vet, ndryshe nga ne, ngjarjet e tilla historike me peshë kombëtare dhe politike, si kjo që pati për kohën dhe që e tillë mbeti për kombin, kujtohen dhe shënohen me dinjitet shtetëror e kombëtar dhe jo vetëm me një akademi nga një fondacion i vetëm shqiptar.
Ky përvjetor, ishte edhe rasti historik që përkujtimi të ngrihej në përmasa shtetërore dhe organizimi të merrte karakter të shtrirjes gjithëkombëtare si ngjarje me peshë të madhe historike për popullin tonë, për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Kjo kryengritje e madhe e historisë sonë kombëtare ndodhi në një kohë delikate dhe tejet të vështirë për mbijetesën e popullit shqiptar, çlirimin e vendit nga pushtuesit osman dhe mbrojtjen e trojeve tona nga pushtuesit e ri sllavë, luftë kjo në të cilën u dallua Idriz Seferi me bashkëluftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, duke u bërë shembull si luftëtari dhe udhëheqësi më i dalluar dhe më me ndikim në hapësirat e trojeve shqiptare gjithandej deri në vdekje.
Koha në të cilën shqiptarët nën udhëheqjen e heronjve tanë kombëtar Idriz Seferi, Mic Sokoli, Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe sa e sa të tjerë, që atëbotë luftuan, jo vetëm për çlirimin nga Turqia por edhe mbrojtjen e trojeve tona para sulmeve sllavo greke që u ndërmorën nga Serbia, Bullgaria, Mali i zi, Greqia e kush jo tjetër, për pushtimin e trojeve tona, kishte ndikim të madh edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare, organizimet politike dhe luftën mbrojtëse të shqiptarëve në ato kohë të rënda dhe me shumë rreziqe për trojet shqiptare dhe kombin tonë në ngritje.
Në këtë luftë u vërtetua se shqiptarët në ato vite, vërtet kishin udhëheqës të paluhatshëm dhe luftëtar të vendosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe interesave jetike kombëtare në tërësi, përgjatë gjithë hapësirës sonë etnike, në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash qoftë edhe përmes sulmeve të pa reshtura nga shumë lloj armiqsh, që në atë kohë u vërsulën nga çdo anë për grabitjen dhe copëtimin e trojeve tona.
Udhëheqësi dhe organizuesi më meritor i asaj kryengritje për çlirimin e vendit nga Turqia dhe mbrojtjen e trojeve tona shqiptare nga pushtuesit sllavë, padyshim se ishte Idriz Seferi ku lavdinë e kësaj lufte në piedestalin e trimërive të qëndresës sonë kombëtare e ngriti heroizmi i rrallë luftarak dhe akti burrëror dhe vetë flijues i Mic Sokolit i cili me trupin e tij kreshnik, prej malësori sypatrembur, i doli në dyluftim të hapur topit pushtues turk, për të mos lejuar që ai të depërtonte edhe një herë në trojet tona para se heroi të vdiste duke e bërë copë e grimë trupin e tij për Atdhe.
Të gjitha luftërat e mëvonshme të popullit shqiptarë dhe krejt ajo që populli ynë arriti deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në dekadat e pas çlirimit të pjesshëm të vendit, në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhen edhe me ngjarjet e këtij 100 vjetori si pararendës i të gjitha këtyre të arriturave, i cili kësaj radhe për çudi u “harrua” edhe të përkujtohet.
Edhe Pavarësia e Kosovës si e arritura më sublime e statusit të ëndërruar kamotshëm nga shqiptarët, është prodhim historik i luftërave të pa shkëputura për çlirim kombëtar, si atëherë para 100 vitesh që u luftua për çlirimin dhe mbrojtjen e këtyre trojeve edhe tani UÇK me luftën e saj për liri me ndihmën edhe të miqve ndërkombëtar, arriti Pavarësinë e ëndërruar, përkrahje kjo që luftëtarëve të atëhershëm për fat të keq ju mungoi edhe pse ishin luftëtar trima dhe mbrojtës të pathyeshëm të cilët luftuan deri në flijim, ajo atbotë nuk mjaftoi që të realizohej ideali i lirisë kombëtare.
Për shqiptarët në përgjithësi por edhe për Kosovën në veçanti që ka kaluar kaq shumë sfida dhe rrugë të gjatë deri te kjo liri që sot ne e gëzojmë, do të ishte dinjitet i lartë dhe krenari e madhe, përkujtimi i bijve të saj që krijuan historinë e kombit me luftërat e tyre në kohërat më të vështira , atëherë kur nuk pati shumë alternativa, kur ajo ishte një dhe e vetme por e dinjitetëshme, ajo që ishte lufta për çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve të tyre, atë e zgjodhën edhe Kryengritësit shqiptar duke kryer detyrën e tyre me nder në shërbim të Atdheut edhe pse lirinë nuk arritën kurrë ta përjetonin.
Për fat jo të mirë tonin, edhe në këto momente që po kalojmë si popull dhe komb, ne nuk kemi një faktor të fuqishëm unifikues, një lidership politik gjithëkombëtar i cili do të dallohej për unifikimin e shqiptarëve në të gjitha trojet ku ata shtrihen.
Kombit tonë i mungon një personaliteti i tillë unifikues me të cilin nuk mund të manipulohet, si shembull i njeriut të pa luhatshëm parimor dhe të guximshëm, të ndershëm dhe të pa korruptuar, që do të përfaqësonte interesat e kombit dhe të cilin do ta respektonin të gjithë shqiptarët pa dallim.
Një personalitet i tillë sikur të ekzistonte, ai edhe do të kujtohej , që shqiptarët ti ftonte të bashkuar ti përkujtojnë edhe përvjetorët e mëdhenj të ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe heronjtë të cilët nuk vdesin asnjë herë, pa marr parasysh partitë dhe udhëheqësit të cilët qeverisin me shqiptarët e ndarë shumë herë.
Ndaj të gjithë ata politikan që popullin tonë, jo rrallë në deklarimet e tyre “patriotike” e porosisin se si nuk duhet harruar e kaluara jonë e lavdishme, në këto momente të shënuara për historinë e kombit siç ishte edhe ky 100 vjetor, në historinë e shqiptarëve, e shohim të nevojshme të paktën me këtë rast historik, tua rikujtojmë se e kaluara e cila nuk duhet të harrohet, përvjetorët e saj të mëdhenj, lavdia e të cilëve për kombin shqiptar nuk përsëritet shpesh në histori, do duhej që me dinjitet të merituar nga të gjithë shqiptarët edhe të përkujtohet!
*Shkrim i dërguar nga autori prej Zyrihut