English

PS: Ministri Ruli pranoi publikisht se shkeli me të dyja këmbët ligjin

Tiranë, 26 dhjetor, NOA Update – Akuzat e opozitës për shkelje të ligjit nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli nuk kanë të sosur, pasi pas akuzave për privatizimin e paligjshëm të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, një tjetër akuzë e rëndë erdhi për ish-ministrin e Ekonomisë, për shkelje në koncesionet e minierave. Deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri deklaroi se ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli sot ministër i Bujqësisë, i pranoi publikisht shkeljet në kontratën koncesionare më një konferencë të posaçme për shtyp, duke akuzuar se vetëm një qeveri të tillë e sunduar nga kampioni i korrupsionit Sali Berisha, mund të lejojë që një ministër i cili ka shkelur me të dyja këmbët ligjin të vijojë punën i qetë.

Deputeti socialist deklaroi se Partia Socialiste do të dorëzojë të hënën në Prokurori dosjen për kallëzim penal për Genc Rulin, pavarësisht faktit se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur tanimë verifikimin e shkeljeve.

Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli është akuzuar nga selia rozë se në ditët e fundit të qëndrimit të tij në postin e ministrit të Ekonomisë Ruli ka ndryshuar marrëveshjen koncesionare me një kompani private të nxjerrjes së kromit pa e kaluar fare për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, siç e kërkon në mënyrë taksative ligji shqiptar.

“Pavarësisht faktit se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e shkeljeve të Genc Rulit për koncesionin minerar, Partia Socialiste ka përgatitur një dosje për kallëzim penal për Ministrin Genc Ruli, e cila nesër do të çohet në Prokurori për të ndihmuar hetimet dhe për të nxjerrë para drejtësisë ministrin Ruli dhe bashkëpunëtorët e tij”, theksoi deputeti Tahiri nga selia rozë.

Sipas Tahirit, justifikimi i ministrit Genc Ruli, se marrëveshja nuk i ka kaluar kuvendit sepse Kuvendi ishte i mbyllur, përveçse është absurd, përbën edhe provën më të qartë të shkeljes së ligjit, pasi dorazi ministri aktual i Bujqësisë ka pranuar publikisht fajin dhe përgjegjësinë ligjore ndaj ndryshimit të marrëveshjes koncesionare. Deputeti i PS-së e ka akuzuar ministrin Ruli se përveç ndryshimit të marrëveshjes koncesionare i ka falur kompanisë së kromit DARFO edhe një gjobë prej 1.6 milion eurosh, duke e lidhur shlyerjen e saj me rimbursimin e TVSH-së, duke bërë që ministri Ruli të tejkalojë edhe kompetencat e tij duke hyrë në ato të ministrisë së Financave.

“Të gjitha këto shkelje u pranuan publikisht nga vetë Genc Ruli”, tha deputeti socialist, duke i bërë thirrje prokurorisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta nxjerrë përpara drejtësisë ministrin Genc Ruli si të pandehur dhe për të hetuar deri në fund arsyet që e kanë shtyrë atë të shkelë ligjin në mënyrë flagrante e të përsëritur.

“Vetë Genc Rulit i mbetet të rrëfejë në Prokurori, shkeljen e ligjit me të dyja këmbët, siç e pranoi publikisht para mediave”, tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.

mit/NOA
KOMENTE