Durrës, 26 dhjetor, NOA – Forcat policore të Durrësit arrestuan në flagrancë dy persona të dyshuar për konsumimin e veprave penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA prej tyre, emrat e tyre janë Emiliano Lami, 24 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për vjedhje dhe Eldorado Tufa, 19 vjeç, banues në Durrës.
Nga të dhënat hetimore të grumbulluara rezulton se më date 24.12.2010, rreth orës 23.30, pas një konflikti të çastit, shtetasi Emiliano Lami, ka plagosur me armë zjarri në dorë Eldorado Tufan.
Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Emiliano Lamit u gjet e sekuestrua një pushkë model 54 si dhe 9.05 gr lëndë e dyshuar si kanabis sativa, ndërkohë që gjate kontrollit të banesës së Tufas u gjetën 3.25 gr lëndë e dyshuar si kanabis sativa dhe 18 fishekë pistolete.
Po nga hetimet e kryera rezulton se konflikti ka ndodhur pikërisht lidhur me lëndën narkotike.
n.e/NOA