English

Tragjedia me 3 fëmijë të vdekur, në gjendje kritike babai i të vegjëlve

Fushë Krujë 26 Dhjetor 2010 NOA Lajm dhe foto update – Përplasja e një makine me targa të Krujës me një tjetër autoveturë me targa italiane, ka sjellë tragjedine rrugore në ditën e Krishtlindjeve.

Tre fëmijë kanë humbur jetën tragjikisht pasi makina që drejtohej nga i ati u përplas me automjetin me targa italiane BG 986DL qe ju shihni ne foto dhe që drejtohej nga një person i cili është shoqëruar për të sqaruar pozicionin e tij në aksident.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23.00 të së Shtunës pranë fshatit Borizan në afërsi të Fushë Krujës.

Anton Kola së bashku me tre fëmijët e tij ishte duke dalë nga fshati Borizan (rruga dytësore rurale) dhe po hynte në superstradë (rruga nacionale).

Pikërisht në këtë moment ka ndodhur tragjedia sepse makina tip Volksvagen Golf prodhim i vjetër që ju shihni edhe në foto, është përplasur me mjetin me targa të huaja duke shkaktuar tre të vdekur.

Viktimat janë tre fëmijë, përkatësisht të moshës gjashtë, nëntë dhe 12 vjeç. Emrat e tyre ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga policia.

I plagosur rëndë në këtë aksident ka mbetur dhe i ati i tyre, Anton Kola 40 vjeç, banor i fshatit Borizan të rrethit Krujë.

Në vendngjarje kanë shkuar forca policore sikunder shihni edhe ne foto.

Ata kanë shoqëruar drejtuesin e makinës me të cilën u përplas mjetit ku humbën jetën tre fëmijët.

Ndërkohë në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku është dërguar i plagosuri Anton Kola, mjekët bëjnë të ditur se gjendja e tij është kritike për shkak të goditjeve të rënda që ka marrë në kokë dhe në trup.

Për më tepër, prindi ndodhet në gjendje shoku nga tragjedia ku u përfshi dhe përjetoi.

e.r/NOA

IDENTIFIKOHEN 3 FEMIJET FATKEQE

KOMENTE