Shkup, 27 dhjetor, NOA - Ministritë, Presidenti dhe institucione tjera që udhëhiqen nga VMRO-DPMNE kanë organizuar pritje për fëmijët e pjesëtarëve të rënë të forcave të sigurisë në vitin 2001.
Këto ceremoni organizohen me rastin e festave të fundvitit, ku fëmijët e pjesëtarëve të rënë maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001 do të shpërblehen me dhurata të ndryshme të fundvitit si dhe për ta do të organizohen ceremoni dhe pritje të ndryshme nëpër institucione.
Presidenti Gjorgje Ivanov në një ceremoni të veçantë do të pres familjet dhe fëmijët e të rënëve maqedonas, për të përkujtuar veprën dhe sakrificën e tyre.
Ceremonitë e tilla janë tradicionale që nga viti 2002 pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001 midis forcave shtetërore të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtar (UÇK).
Nga ana tjetër, një traditë e tillë nuk ndiqet për fëmijët dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, të cilët 9 vite nga përfundimi i luftës nuk gëzojnë përkujdesje institucionale. Shoqata e veteranëve të UÇK-së edhe këtë vit kanë shprehur indinjatën e thellë lidhur me anashkalimin e vazhdueshëm për mospërkujdesjen institucionale për familjet e dëshmorëve të UÇK-së.
a.k/NOA/INA