Në botë Sali Berisha, ke vetëm dy shokë, Fidel Kastron dhe Huve Caves, vetëm ata garojnë se kush flet më gjatë, ti je i treti. Unë kam bindjen se atë trajtim dhe atë angazhim politik do ja kalosh edhe Kastros edhe Caves
Nga Gramoz Ruçi
Është nata e dytë që parlamenti shqiptarë mblidhet për të gjykuar të njëjtën çështje. Është hera e parë që parlamenti shqiptar diskuton si natën e parë dhe sot, po nuk thotë kryeministri I vendit asnjë fjalë për problemin për të cilin jemi mbledhur. Problemi shtrohet qartë dhe hapur, opozita shqiptare me qëllimin e mirë për të zgjidhur krizën ndërmori një hap.
Zoti kryeministër, të nderuar shqiptarë, njeriu që duhet të jetojë me krizën dhe forca politike që nuk ka asnjë vullnet për të zgjidhur këtë krizën, e vuan si natën duke u gdhirë e premte edhe oratorinë e gjatë të kryeministrit sot.
Së dyti, opozita shqiptare me qëllimin e mirë për të implementuar rekomandimet e opinionit të KE ndërmori një hap, si për të zgjidhur krizën ashtu dhe për të materializuar dhe konkretizuar të 12 vendimet e KE. Kryeministri si ditën e enjte duke u gdhirë e premte edhe sot nuk thotë asnjë fjalë. Ai nuk është i gatshëm për të ndryshuar Shqipërinë, ai është I gatshëm për të mbajtur këtë situatë dhe për të korrigjuar raportin dhe opinionin me rekomandimet e KE.
Së treti, opozita shqiptare me qëllimin e mirë për të konkretizuar kërkesat e rezolutës së PE ndërmori një hap me iniciativë për herë të dytë, për të ngritur një komision hetimor parlamentar mot a mot siç thotë rezoluta e PE. Me objekt, me përbërje dhe me drejtim siç thotë rezoluta e PE. Të enjten dhe sot përsëri shqiptarët dhe ndërkombëtarët marrin përgjigjen që, kreu i qeverisë, kreu i kësaj mazhorance nuk e pranon rezolutën dhe nuk bën asnjë shërbim për të konkretizuar rezolutën e PE.
Së katërti, me qëllimin e mirë për të fituar kohën e humbur prej një viti e gjysmë si rezultat I këtij ngërçi, kësaj krize politike, opozita shqiptare mori një nisëm për herë të dytë, duke përputhur pretendimet tona prej një viti e gjysmë me ato që ka PE dhe me ato që ka pohuar prej një viti e gjysmë mazhoranca aktuale e Shqipërisë në të gjitha negociatat bilaterale pozitë opozitë dhe në të gjitha negociatat që ka filluar në prezencë të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë. Sot dhe ditën e enjte shqiptarët e shikojnë qartë se ky njeri pavarësisht nga negocimet që bën, pavarësisht nga premtimet që bën asnjëherë nuk I mban ato dhe asnjëherë nuk kërkon ti konkretizojë ato sepse e ka krijuar vetë këtë krizë dhe mbi të gjitha ka 2 halle të mëdha siç e deklarova edhe herën e parë. Nuk do që të tregojë në sytë të diellit maskaradën elektorale të 28 qershorit, e para. E dyta, e di që nuk fiton kurrë prandaj kërkon që jo vetëm kjo e vërtetë të mos dalë por edhe në zgjedhjet e ardhshme të bëjë të njëjtën gjë.
Së fundi me qëllimin e mirë që të ndërmarrim hapa për të përmirësuar infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme dhe për të garantuar për herë të parë zgjedhje të lira dhe të ndershme e të pakontestuara në këtë vend, opozita ndërmori këtë hap dhe është shumë serioze në këtë hap që ka marrë.
Njeriu që nuk do të implementojë rekomandimet e bëra nga PE dhe nuk do të korrigjojë ato faje ato gabime dhe të garantojë një standard zgjedhjesh në këtë vend përsëri në qëndresën tij sot qëndron stoik, qëndrimit të tij permanent. Nuk do të implementojë rekomandimet, nuk do të përgatisë infrastrukturën e zgjedhjeve, nuk do të garantojë veç deklaratave të tija populiste, zgjedhje të lira e të ndershme. Problemi është i qartë.
Për herë të dytë shqiptarët me orë të tëra të enjten duke gdhirë e premte, por edhe sot për një orë rresht dëgjuam që për të gjitha këto probleme nuk flet asnjë fjalë, por e fillon dhe e mbaron me opozitën, e fillon dhe e mbaron me Edi Ramën. Zotëri i nderuar, ne jemi opozita shqiptare, ti akuzon opozitën apo liderin e saj si paranojak, si skizofren, si paranoist, si fundamentalist etj. A ka skizofreni më të madhe, a ka fondamentalizëm më të madh kur shqiptarët panë me sytë e tyre, dëgjuan me veshët e tyre se argument i seancës së kaluar të kryeministrit ishte funeral i shkëlqyer i liderit të opozitës. A ka fondamendalizëm më të madh, a ka histeri më të madh, a ka skizofreni më të madhe, kur duke u gdhirë e premte dëgjuan vetë se ky kryeministër vetëm një nder do ti bënte edhe të vdekur liderit të opozitës, do ti mbante fjalimin më të padëgjuar. Kush do ta bënte këtë? Ku është dëgjuar kjo? Vetëm nga kryeministri jonë. Zoti kryeministër e akuzon atë se ka mbërritur nga blloku, është një tezë e vjetër po kaq sa dhe ti, e po deshe sa dhe unë bashkë me ty, që të mos ngelet qejfi fare, teza e bllokmenëve.
Ke ardhur dhe ke jetuar në politikë këto 20 vjet me tre kolona kryesore. E para si antikomunist I flaktë. E dyta si dhjetoristi i parë dhe i vetëm. E treta si më i pakorruptuari në këtë vend. Të treja këto të janë bërë copë e cik. Antikomunisti më i madh rezulton nga faktet e dala ditë pas dite, se ke qenë njeriu më i pari nga më i madhi i byrosë politike tek më i vogli, më i besuari, më i respektuari, më i trajtuari, më I preferuari. Prandaj mos vazhdo se e ke të djegur kartën e antikomunizmit. Së dyti, i ashtuquajturi dhjetorist, luftove tërë dhjetorin që të ishe ti dhe vetëm ti. Mjafton vetëm një fakt, asnjë dhjetorist nuk është sot në radhët e forumeve të tua të partisë. Nuk është sot në grupin tënd parlamentar, nuk është asnjë anëtar kryesie i kryesisë së dhjetorit. Janë shpërndarë si zogjtë e korbit më qëllim që historia të njoh vetëm një dhjetorist, vetëm ty. Ky është problem jot. E treta, në këtë sallë ke ligjëruar tetë vjet në opozitë si njeriu i duarve të pastra, erdhe në pushtet me këtë filozofi,me këtë premtim, me këtë angazhim. Absolutisht as ti vetë nuk i beson, e as një njeri që ti dhe qeveria jote nuk jeni zhytur kokë e këmbë, nuk ka ngelur njeri nga kabineti jot dhe personalisht ty për ngjarje konkrete, për fenomene konkret, për afera konkrete. Kështu që tre kolonat të kanë rënë dhe kur bien kolonat bie e gjithë ndërtesa, je I vetmi kryeministër që reziston në vend që të korrigjosh po thellohesh. Më kanë çuditur të dyja ligjëratat e tua të fundit të enjten dhe sot dhe duke qëndruar në radhën që kam në parlament kam arritur në një përfundim. Është hera e parë që ndodh kjo ndërhyrje, që flet kaq gjatë, natyrisht në botë ke vetëm dy shokë, Fidel Kastron dhe Huve Caves, vetëm ata garojnë se kush flet më gjatë, ti je i treti. Unë kam bindjen se atë trajtim dhe atë angazhim politik do ja kalosh edhe Kastros edhe Caves.
* Fjala në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar Socialist