English

Kapen 70 kilogramë hashash në kufirin grek, arrestohet një, dy në kërkim

Gjirokastër, 27 dhjetor, NOA - Një person është arrestuar sot nga policia dhe dy janë në kërkim në Gjirokastrë për transportimin e 70 kilogramëve lëndë narkotike hashash.

Sasia e konsiderueshme e drogës ka qenë duke u transportuar drejt Greqisë. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se arrestimi i 23-vjeçarit Adil Peshku, lindur dhe banues në Kostenjë të rrethit Librazhd, është bërë sot rreth orës 01.30 të mëngjesit nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Tre personat janë hasur nga policia me anë të dylbive të natës gjatë kontrollit që behej afër kufirit grek, në vendin e quajtur “Gryka e Bogazit”, afër piramidës 24 të kufirit.

Menjëherë forcat e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të këtyre shtetaseve duke u mbështetur edhe nga shërbime të tjera shtesë të Policisë Kufitare.

Patrulla e Policisë Kufitare ka arritur të kapë në flagrancë njërin prej transportuesve së bashku me çantën që transportonte Adil Peshku.

Ndërsa dy personat e tjerë duke përfituar nga errësira dhe moti i keq me shi e dëborë, të favorizuar edhe nga terreni i thyer dhe bimësia kanë arritur të largohen pa u identifikuar nga patrulla e policisë kufitare duke braktisur edhe çantat të cilat janë sekuestruar nga ana e Policisë.

Nga këqyrja që iu bë çantave rezultoi se në tre çantat kishte 60 pako me peshë të ndryshme, të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre ndodhej lëndë narkotike e dyshuar si mariuanë, gjithsej rreth 70 kilogramë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Polica njofton se dy personat e tjerë që transportonin lëndën narkotike janë dy të rinj nga Saranda, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre.

a.k/NOA

KOMENTE